Ismajli: Mirënjohës zjarrfikësve të Gjilanit për mbështejen e vazhdueshme kundër Covid-19

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka vizituar Njësinë e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, ku nga afër ka parë angazhimin maksimal që janë duke e bërë në kuadër të masave për parandalimin e koronavirusit.

“Zjarrfikësit e Gjilanit kanë një mobilizim të jashtëzakonshëm dhe janë në funksion të plotë, që krahas intervenimeve të mundshme për fikjen e zjarreve dhe intervenime të tjera sipas detyrës zyrtare, të ofrojnë shërbimet e tyre edhe në dezinfektim, në mbështetje të kontigjenteve me ndihma për rastet sociale”, ka deklaruar Ismajli.

Në emër të Njësisë së Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, ka folur u.d. komandanti, Rabit Murseli, i cili ka ritheksuar zotimin se ata janë në gjendje gatishmërie 24 orë, për intervenim dhe mbështetje për qytetarët, në kuadër të Komunës së Gjilanit.