Ismajli vlerëson se Këshillat e Fshatrave dhe QMF’të, janë gardianët më të fuqishëm kundër Covdi-19

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit Arbër Ismajli, ka vizituar sot Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Dobërçan dhe Cërrnicë, ku wshtw një mobilizim maksimal së bashku edhe me këshillat e fshatrave, për t’u dhënë mbështetje qytetarëve të cilët kanë nevojë për trajtim shëndetësorë në sektorin primar.

“Janë ekipet mjekësore dhe ekipi i madh ndërinstitucional i Gjilanit, që vazhdimisht është duke ofruar shërbime dhe kujdes për qytetarët e Gjilanit. Është një mrekulli se si organizohet Këshilli i Fshatit në Dobërçan për të qenë mbështetës për një jetë më të mirë dhe të shëndetshme për qytetarin. Kjo është për t’u përshëndetur në këtë fshat, sepse është bërë furnizimi në formë të donacionit me barna të cilat kryesisht u dedikohen fëmijëve. Të gjithë qytetarët të cilët kanë nevojën që të marrin shërbimet shëndetësore luten që të paraqitet në institucionet shëndetësore, sepse shërbimet do të jepen normalisht dhe me përkushtim maksimal”, ka potencuar ai.

Ismajli ka pohuar se edhe ekipet mobile janë aktive dhe shërbimet do të jepen në kohën optimale, kudo që është kërkesa për intervenim shëndetësorë, sepse e kemi parasysh nevojën që kanë qytetarët dhe gjendjen të cilën jemi në këtë kohë pandemie.

“Të bashkuar, duke respektuar rekomandimet e institucioneve në nivelin komunal dhe veçanërisht të stafit profesional të mantelbardhëve, do ia dalim që ta përballojmë dhe tejkalojmë pandeminë e shpallur në nivel botëror”, ka thënë Ismajli, derisa porositi që qytetarët që të mos lëvizin nga shtëpitë e tyre.