Ismet Hashani: Suksesin e ngjitjes në “Ararat” ia dedikoj heroit të Kosovës, Ibrahim Uruqi – Hushi

E shohim në media përditë, por zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, toger Ismet Hashani e ka edhe një pasion, të cilin e bën kryesisht gjatë fundjavës. Atë të bjeshkatarisë.

Ngjitjen maje maleve e shkëmbinjve e ka nisur para dhjetë vjetësh. Fillimisht në bjeshkët e Kosovës, e pastaj i ka kaluar kufijtë e shtetit më të ri.

“E dua bjeshkën…Kam shkelë në shumicën e bjeshkëve dhe maleve të bukura të Kosovës”, thotë Hashani për Mediafokus.info, i cili është edhe anëtar i klubit alpin “Gjilani”.

Mirëpo, kulmin e ka arritur të premten (21 gusht 2020), kur vet i katërmbëdhjeti preku majën më të lartë të Azisë Lindore, atë të malit “Ararat” në Turqi, që ka lartësi mbidetare prej 5137 metrash.

“Ngjitja ka qenë shumë sfiduese, por krenaria më është shtuar kur krahas shumë simboleve e flamujve të shtetit, e kam ngritur edhe flamurin e Policisë së Kosovës”, thotë Hashani për Mediafokus.info.

Ngjitja në majën më të lartë në Azinë Lindore nuk ka qenë bash e lehtë për të dhe 13 kolegët bjeshkatarë nga Kosova. Pesë ditë kanë fjetur nën tenda, derisa temperaturat gjatë korrikut e gushtit janë minus 15 gradë Celsius.

“Ekspedita ka qenë sfiduese dhe interesante. Ishte bukur e mundimshme. Në veçanti, terreni ka pasur karateristika të shkëmbinjve vullkanikë. Plus kësaj, kur mbërrihet lartësia prej 4200 metrash, përshkohet me oksigjen të rralluar dhe temperatura shumë të ulta, akull e borë që kurrë nuk shkrihet”, ka rrëfyer zëdhënësi i Policisë për Regjionin e Gjilanit.

Këtë sukses, toger Ismet Hashani ia ka dedikuar njeriut që e ka pasur përzemër, por që nuk jeton më.

“Prekjen e majës më të lartë të Azisë Lindore ia dedikoj heroit të Kosovës, Ibrahim Uruqi – Hushi, shokut tim. Krejt e dinë kush ka qenë ai dhe çfarë raporte kemi pasur, por nuk dua të flasë më shumë për këtë. Ndonjëherë tjetër”, ka thënë Hashani./Mediafokus.info/

Ja ekspedita e Ismet Hashanit përmes fotografive: