Ja çfarë dëme të mëdha shkaktoi stuhia e fuqishme në Gjilan

Komuna e Gjilanit është goditur të marten në mbrëmje nga një stuhi e fuqishme ere e shiu, ku janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në pronën publike dhe private, por fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, njofton kumtesa komunale, transmeton Mediafokus.info.

Përpos vërshimeve në disa pjesë të qytetit, erërat e fuqishme kanë dëmtuar kulmin e një ndërtese kolektive në rrugën “Muharrem Ibrahimi”, ku me këtë rast janë dëmtuar disa shtëpi përrreth.

Po ashtu, është dëmtuar edhe kulmi i shkollës së mesme teknike “Mehmet Isai” dhe disa lokale afër, derisa është dëmtuar edhe një pullaz në fshatin Gumnisht.

Ndërkohë, ndërprerje të rrymës ka pasur në lagjen Dardania dhe në fshatrat, Bresalc e Uglarë, pasi disa shtylla elektrike dhe tela të rrymës janë shkëputur.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sami Spahiu, ka thënë se ekipet e emergjencave komunale, zjarrfikësit, policia dhe KEDS kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po e menaxhojnë situatën./Mediafokus.info/