Ja si e kujton i vëllai heroin Agim Ramadani

Në përvjetorin e rënies së heroit Agim Ramadani, i vëllai i tij, Jashari ka bërë një rkikujtim shumë prekës nga takimi në Çaplinë.

Ehhh… mbaj mend këtë foto të bërë në vitin 1989 në Çaplinë, ku ti ishe caktuar në shërbim për herë të parë.

Viti i Ri i parë që ti nuk ishe në shtëpi.

Kërkova leje nga nëna dhe baba që për atë fundvit të mos isha me ta.

Atë vit u thashë se Agimi do të jetë vetëm me Shukin dhe Jetonin e vogël e po shkoj te ta.

Ani nënës shko se mërziten më tha e para e baba me të shkurt siç e kishte, vetëm me shikim dhe pohim koke, miratoi.

Atë vit të ri nëna kishte qarë nga mërzia se nuk ishim të gjithë së bashku sikur që qante prej gëzimit edhe kur ishim bashkë, si nënë më… e kur baba pas bukës na ipte kutinë e drurit me duhan ta mbështjellim nga një cigare burrash.

Që nga atëherë rrallë u bëmë të gjithë bashkë për fundvite.

Shpresa gjithnjë ato net vitesh të reja piqej se fundvitin tjetër do të jemi bashkë.

Kështu vitet me radhë rrëshqisnin me atë dëshirë.

Viti 1999 dhe ti erdhe… por në “një jetë tjetër”. Solle një jetë tjetër për të gjithë ne – lirinë.

Nga atëherë, për ty thurin poezi, shkruajnë, pikturojnë, këndojnë e të skulpturojnë.

E ne familja në heshtje të kësaj dite të 11 Prillit, mbahemi kinse të fortë dhe fshihemi pas fjalëve, pas shikimeve, pas fytyrës me mrrola të mos na tradhtojë dhe të na nxjerrë ligështimin.

Nga brenda vullkani me erë zjarri sjellë boshllëkun se ti gjithnjë na mungon, ka shkruar Jashar Ramadani./mediafokus.info