Japonia ndihmon Kosovën me 800 mijë euro në luftën kundër COVID-19

Japonia i ka dhuruar Kosovës donacion një grant për implemtinim e programit të zhvillimit ekonomik dhe atij social në vlerë prej 800 mijë eurove, që do të ndihmojnë luftën kundër pandemisë COVID-19.

Kjo u bë e ditur sot, ku ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla dhe Ambasadori japonez, Akira Mizutani, nënshkruan marrëveshjen për këtë donacion.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, tha se kjo nuk është hera e parë që Japonia ndihmon Kosovën.

“Japonia i dhuron Kosovës donacion një grant gjeneroz për implementimin e programit të zhvillimit ekonomik dhe atij social në vlerë prej 100 milionë jen japonez apo 800 mijë euro, që do të ndihmojë luftën tonë kundër pandemisë COVID-19…Kjo nuk është hera e parë që Japonia ndihmon shtetin tonë duke qëndruar afër nesh si partner i rëndësishëm strategjik në Azinë Lindore…Kosova është e përkushtuar që të thellojë dhe të fuqizojë marrëdhëniet me Japoninë dhe po punojmë pandërprerë dhe aktivisht që të realizojmë këtë aspiratë”, tha ajo.

Ajo ka falënderuar qeverinë dhe popullin japonez për ndihmën që i kanë bërë Kosovës.

Ndërsa, ambasadori jorezident i Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani, tha se në vazhdimësi do ta mbështesin Kosovën edhe në luftën kundër COVID-19.

“Në lidhje me furnizimin me pajisje mjekësore për spitalin kryesor publik të Kosovës. Këto pajisje do të shërbejnë në avancimin e shërbimeve mjekësore për popullin e Kosovës. Japonia e konsideron Kosovën si çelës për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Japonia ka përkrahur në mënyrë të vazhdueshme zhvillimin e Kosovës. Për t’u marrë me pandeminë COVID-19 i kemi aktivizuar dy kanale, gjegjësisht përmes UNICEF-it, ku ofrojmë pajisje mbrojtëse personale si dhe nga Japonia në procesin e transportimit janë barnat kundër pandemisë COVID-19 për 100 pacientët tani. Sot shkëmbimi i këtyre notave është për asistencë për grantin siç thash për pajisje mjekësore”, tha ai.

Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani, gjatë ditës ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti