Jataku i Mulla Idris Gjilanit në Gjyrishec të Kamenicës, te familja Sadiku, është vetë historia e tij

Izmi Zeka

Ndonëse vitet po ikin, shumëçka në Kosovë edhe po harrohet. Është shkruar shumë për Mulla Idris Gjilanin si njëri nga strategët gjatë Luftës së Dytë Botërore, por sikur një pjesë e historisë së tij është harruar fare.

Qëndrimi i tij i fshehtë në shtëpinë e familjes Sadiku të Gjyrishecit në Kamenicë, afër pesë vite, diku prej marsit 1945 deri kah fundi 1949, është mbet në harresën e historisë.

Mulla Idris Gjilani aty kishte kaluar një kohë ku rrethanat që ishin aso kohe e që pamëshirshëm shkatërronin çdo gjë, familja Sadiku dhe ajo shtëpi meriton respektin dhe jo vetëm por edhe atë shtëpi që tani është rrënuar të rindërtohet dhe të kthehet në shtëpi muze.

Në familjen Sadiku të Gjyrishecit, Mulla Idris Gjilani kaloi kohën nën përkujdesin e kësaj familje e cila kishte rrezikuar, vetëm e vetëm që të mbante Mulla Idris Gjilanin larg duarve të UDB-së së kohës.

Për njerëzit e kohës por edhe ata që e njohin atë kohë, regjimi Jugosllavë shkatërronte edhe familjet vetëm nëse flisnin ndryshe regjimit e lëre më me mbajt një person çfarë ishte Mulla Idriz Gjilani, që kërkohej anekënd nga regjimi Jugosllavë.

Kjo kohë ishte ndjekje e të gjithë atyre që nuk përkonin me idetë çfarë kishte proklamuar sistemi jugosllav gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj e që ishin kundër saj.

Prandaj familja Sadiku nga Gjyrishecit, përveç se duhet të nderohet për kontribut të jashtëzakonshëm, edhe shtëpia ku qëndroi Mulla Idrisi duhet të kthehet në shtëpi muze e qëndrimit të luftëtarit, dijetarit dhe komandantit të pathyeshëm në mbrojtje të Shqipërisë etnike.

Mulla Idris Gjilani në atë shtëpi la një pjesë të jetës së tij, kishte libra të ndryshme edhe të shkencave ekzakte, aty shkroi shkrime të shumta, analiza por edhe mbajti kontakte me njerëzit që luftonin me regjimin e vendosur Jugosllavë.

Kjo familje e strehoi, ia mbajti lidhjet me shokë të tjerë, e mbajti me bukë Mulla Idrisin deri në arrestimin e tij. Aso kohe por edhe nga distance e sotme kjo familje shfaqi heroizmin e pashoq.

Po citoj marr nga prof. Pirraku në momentet kur Mulla Idris Gjilani ishte i rrethuar nga forca të shumta Serbo Jugosllave “…Ndërkaq, Rrahim S. Sadiku Burri, do të konstatojë: “Nuk u angllatis se nuk u angllatis, Mulla Idrisi…!” “Tashti është punë e jemja, o Rrahim trimi, o vëlla…! Nuk i marrë në qafë robët, dhe mos u frikëso se Zoti është i Madh, e një ditë ka për të dalë në dritë burrëria, besa dhe sakrifica, e Jote dhe e vëllezërve të tu deri në vetëmartirizim…! Një ditë Nëna, që u lindi dhe u rriti Juve, Malësorja që më pranoi për djalë mbi të gjithë djemtë, e mbi të gjithë robët, ka për t’u ngritur mbi retë, në historinë e kombit tonë…! Bëmat e mia janë një zero në krahasim me punën Tuaj, e tashti më lejo unë të vendosi…! Dil dhe shtyje afatin, disi, deri sa t’i kryej edhe do punë, se e kam bërë hesap edhe fundin tim, por asnjë dokument nuk guxon të bjerë në dorë…! Dil, dil…! Thuaju se tashti po dorëzohet…!”.

Madhori i Kombit, Mulla Idris Gjilani u soll në Burgun e Gjilanit, në natën e 22/23 nëntorit si edhe dy nga “jatakët” në shtëpinë e të cilëve jetoi, pikërisht Rrahimin dhe Avdi Sadikun, pa ua mundësuar, së paku, ta varrosnin të vëllanë Hero.

Këto që u thanë nga vetë Mulla Idris Gjilani, janë kuran e bibël për gjeneratat e sotme. Janë vetë atdheu, dija, respekti dhe pesha e jatakut ku qëndroi ai.