Kantoni i Bernës ndalon ngjarjet me mbi 1000 veta

Vetëm disa minuta pasi Këshilli Federal kishte njoftuar masat kombëtare në luftën kundër koronavirusit dje, Kantoni i Bernës ka bërë të ditur vendimin e tij që shkon një hap më tej në këtë drejtim.

Që nga sot, Berna është kantoni i vetëm që ndalon aktivitetet masive në shkallë të gjerë me më shumë se 1000 njerëz, raporton srf.ch.

Të kujtojmë: vetëm më pak se tri javë më parë (më 1 tetor), Zvicra, pas disa muajsh ndalese, pati lejuar sërish aktivitetet me më shumë se 1000 pjesëmarrës, shkruan albinfo.ch. Bëhet fjalë për ndeshjet sportive, manifestimet kulturore etj.

Zhgënjimi pas këtij lajmi shkon thellë. Të dy klubet e mëdha sportive të qytetit të Bernës, SC Bern (hokej mbi akull) dhe Young Boys (futboll), i kanë shkruar një letër të hapur autoriteteve kantonale.

Në letër ata shprehin moskuptimin e tyre në lidhje me vendimin më të ri të qeverisë kantonale.

“Dhe pastaj vini ju, e dashur qeveri kantonale, një orë më vonë me ndalimin e ngjarjeve të mëdha me mbi 1000 njerëz – veçanërisht si kantoni i vetëm në Zvicër. Ne do të kishim shpresuar për pak kohë dhe do të donim të dëgjonim argumente “.

“Vendimi juaj është një sulm frontal për sportin,” shkruajnë menaxhmenti i SCB dhe YB në letër. Të gjitha klubet sportive kanë investuar burime të mëdha në koncepte efektive të mbrojtjes, koncepte këto që funksionojnë.
“Pas disa javësh të sezonit të ri në hokej mbi akull dhe futboll, asnjë rast i vetëm Covid nuk është i njohur për shikuesit që lidhet me një lojë hokej mbi akull ose futboll në nivelin profesional” thonë përfaqësuesit e klubeve, përcjellö albinfo.ch.

Kjo është arsyeja pse ata janë “të tronditur, të bezdisur dhe të zhgënjyer” nga vendimi i autoriteteve të Bernës.

Mediat zvicerane ndërkohë shkruajnë se një vendim i ngjashëm pritet të merret edhe nga Kantoni i Cyrihut dhe ai i Bazelit.