Kërkesat për perfeksionimin e portretit po bëhen trend edhe në Kosovë

Dr Dafina Krasniqi

Kohëve të fundit janë rritur kërkesat për trajtime kundër plakjes dhe dëshira për të qenë dhe për t’u dukur më të rinj.

Gratë përbëjnë 91 për qind të klientelës së klinikave të ndryshme, sepse ato duan të duken bukur.

Megjithatë, si trend botëror, edhe numri i ndërhyrjeve të kryera tek meshkujt po rritet me shpejtësi.

Kërkesat më të shpeshta në fushën e kujdesit estetik janë fillerat apo mbushësit kozmetikë, si dhe botox.

Ineksionet anti-rrudhë me botox kërkohen më së shumti pas moshës 30-vjeçare, në zonat ku mimika luan rol për forcimin apo shfaqjen e tyre para kohe.

Zonat ku aplikohen më tepër, janë në mes të vetullave, zonat anës së syve, anës së buzëve, si dhe balli. Ndërsa fillerat janë injeksione mbushëse të rrudhave dhe kërkohen kryesisht në zonën e ballit dhe syve.

Viteve të fundit, zhvillimi teknologjik dhe përdorimi në mënyrë efikase i metodave të avancuara, i jep jetëgjatësi ndërhyrjes.

Përdorimi i acidit hyaluronic, i cili është një acid që e prodhon trupi, është një ndër arritjet më të mëdha të fushës së estetikës.

Me bumin e madh të shkencës së kirurgjisë plastike dhe mjekësisë estetike, një pjesë e mirë e ndërhyrjeve që dikur kryheshin nëpërmjet kirurgjisë, sot kryhen me metoda që nuk dhembin dhe aspak invazive të cilat i ofrojnë pacientit komoditet të jashtëzakonshëm.

Nëpërmjet këtyre metodave kaq të shpejta, të cilat nuk shkaktojnë dhimbje, mund të arrihet rinimi dhe perfeksionimi i portretit.

Favori tjetër i këtyre metodave është që nuk kërkojnë kohë për rikuperim. Procedura zgjat 30-45 minuta dhe pacienti mund të kthehet menjëherë në aktivitetin e tij të zakonshëm, pa pasur nevojë për pushime.

Këtu bëjnë pjesë korrigjimi i rrudhave nëpërmjet injeksioneve, zmadhimi dhe rimodelimi i buzëve, i mollëzave, rikonturimi i fytyrës dhe të gjitha trajtimet e rinimit të lëkurës.

Botoxi po eliminon diferencën e brezave dhe po nis të aplikohet që pas moshës 25-vjeçare, deri në moshën 65-vjeçare.

Kërkesat më të shpeshta nga klientët, janë edhe mbushësit kozmetikë, që kanë si bazë acidin hyaluronic, një substancë organike që lidh ujin në qeliza.

Përdoret për trajtimin e rrudhave të moderuara ose të thella, gropave, rritjen e volumit të buzëve, konturimin e fytyrës.

Efektet janë të dukshme menjëherë pas injektimit të substancës mbushëse dhe zgjasin deri në një vit.