Kërkohet shkarkimi i drejtorit të Policisë pas hyrjes së xhandarmërisë

Komisioni kuvendar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka debatuar për hyrjen e xhandarmërisë në fshatin Karaçevë.

Më i zëshmi ka qenë deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, i cili ka kërkuar përgjegjësi, konkretisht shkarkimin e drejtorit të Policisë.

“Le të dihet, se drejtori i Policisë nuk e kryen detyrën e vet, duhet me u shkarku dhe duhet me dhënë përgjegjësi”, tha Berisha.

Por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se problemi me Karaçevën nuk zgjidhet me një veprim të policisë.

Sipas tij, atje gabimisht po quhet zonë neutrale, sepse sipas tij ajo pjesë i takon Kosovës.

“Atje ka vazhdu të mbetet një zonë neutrale, që faktikisht nuk është e tillë. Sa i përket mungesës së ministrit dhe informacionit të mjaftueshëm, unë mund të them se po mungon komunikimi me institucionet. Nëse ndërhynë policia atje, shteti duhet me reagu sikur është shkelë territori”, tha ai.