Këshilli lokal në Zhegër bënë thirrje për respektim të masave kundër pandemisë  

Pas konfirmimit të një rasti me coronavirus në Zhegër, sot Këshilli i fshatit ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, ku ka miratuar disa rekomandime që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve në kushtet e pandemisë, duke kërkuar prej tyre që t`i respektojnë masat e ndërmarra nga profesionistët shëndetësorë.

Njëherësh, Këshilli kërkoi që ambulanca e fshatit të furnizohet me mjete shtesë, aparaturë, barna dhe pajisje tjera mbrojtëse, në mënyrë që të jetë e gatshme për parandalimin e përhapjes së virusit.

Këshilli sugjeroi krijimin e një fondi emergjent për ndihmë familjeve me kushte të rënda sociale, për nevoja ushqimore, higjienike dhe barna.

Marketet të furnizohen rregullisht me produkte ushqimore e higjienike e sidomos me miell dhe produkte tjera bazike.

Njëherësh marketet duhet të dezinfektojnë hapësirat, punëtorët të pajisen me masa mbrojtëse dhe të respektohet distanca e paraparë me klientët.

Daljet për furnizim me ushqime, bëhen vetëm nga një person i familjes, brenda orarit të punës 8-20

Çdo lagje e fshatit duhet të caktojë një përfaqësues, i cili do të mbajë të informuar shtabin emergjent për çdo risi në lagjen përkatëse.

Këshilli i fshatit u ka bërë thirrje qytetarëve të Zhegrës që të respektojnë të gjitha thirrjet e profesionistëve shëndetësorë, udhëzimeve për qëndrim në shtëpi dhe për mbajtje të higjienës personale./mediafokus.info