Kështu e rikujton Toni tërmetin e vitit 2002 në Gjilan

Faton Bislimi, ish-kandidat për deputet të Parlamentit të Kosovës, e ka rikujtuar përmes fotove tërmetin e Gjilanit, të vitit 2002. “Nuk ishte i lehtë aspak as tërmeti i Gjilanit, më 2002! Besoj se solidariteti ynë në veçanti, edhe i krejt Kosovës në përgjithësi, është burimor, ani pse njerëz të caktuar e përdorin edhe tragjedinë e dikujt për përfitimin apo reklamën e vet”, ka shkruar Toni në profilin e tij, ku ka postuar edhe foto të atyre ditëve të vë-shtira.

Në të vërtetë, Gjilani si rajon ka një shkallë të theksuar të ndjeshmërisë ndaj tërmeteve. Tërmeti i fundit këtu ka ndodhur më 24 prill të vitit 2002 dhe, sipas vlerësimit të sizmologëve, një i tillë mund të përsëritet pas afër 80 vitesh.

Në tërmetin e 24 prillit 2002, humbi jetën një person, u lënduan disa të tjerë dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas të dhënave të Institutit të Tiranës, një tërmet me fuqi prej 9 ballësh të Merkalit, kishte ndodhur në Gjilan, në vitin 1755.

Pavarësisht se dridhjet e tokës mund të ndodhin shumë rrallë, shkalla e rrezikshmërisë duhet të merret parasysh nga ekspertët gjatë projektimit dhe ndërtimit të objekteve të larta. Respektimi i standardeve ndërtimore në kushtet e ndjeshmërisë sizmike, është masë e domosdoshme.

Tërmet lanë pas vete, jo vetëm dhimbje e dëme, por edhe kujtime të hidhura. Toni e rikujtoi në këtë mënyrë, përmes fotografive autentike, prillin e vitit 2002.