Këto ishin gjimnazistet e para të Karadakut

Shkolla shqipe ka bërë një rrugëtim të vështirë, jo vetëm në fillimet e saj, por edhe më vonë, kur u përzu nga objektet dhe u ndoq nga pushteti serb.

Nëpër sfida të tilla kaloi edhe Gjimnazi “Zenel Hajdini”, një vatër e hershme e arsimit shqip në komunën e Gjilanit, i cili në vitin shkollor 1972/1973 i hapi paralelet e veta edhe në Zhegër.

Merita për këtë i adresohet intelektualit arsimdashës, Ismail Kadriu, shkruan portali mediafokus.info

Në gjimnazin e Zhegrës u regjistruan nxënës nga Llashtica, Lladova, Nasala, Haxhajt, Selishta, Kurexhajt, Çeliku, Godeni, Shurdhani, Lipovoca, Pidiçi, Remniku. Kishte edhe nga Vitia, Kumanova e Presheva.

Punëtori Nazim Idrizi (tani i ndjerë) i bartte profesorët nga Gjilani në Zhegër dhe anasjelltas me një makinë “Fiat”.

Hapja e gjimnazit krijoi mundësi për shkollim edhe të femrave. Në vitin e parë, këtu u regjistruan disa vajza. Profesori Tefik Selimi, tani i ndjerë, rikujtonte se ato vinin në shkollë me kule.

Mësimet, gjatë vitit shkollor 1973/1974 i vijuan këto vajza: Mirishahe Idrizi, Nazlije Bajrami, Fakije Selimi, Mirije Selimi, Ylbere Kadriu, Fatmire Isufi, Farije Latifi, Miradije Halili, Hava Idrizi, Nazlije Rexhepi, Qefsere Isufi, Arife Murseli e ndonjë tjetër. Nga Presheva ishte Akile Rashiti dhe ndonjë tjetër.

Disa prej tyre dolën arsimtare, si: Mirishahe Idrizi (e ndjerë), Nazlije Bajrami, Fakije Selimi, Mirije Selimi, Ylbere Kadriu, Fatmire Isufi etj./ mediafokus.info