KFOR-i: Patrullimi me forcat serbe, i sinkronizuar

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, i njohur me shkurtesën KFOR, thotë se më 7 gusht, në Komunën e Kamenicës kanë zhvilluar një patrullim të sinkronizuar me Forcat e Armatosura serbe, përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodovc.

“Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura serbe përgjatë Vijës kufitare administrative për të ofruar siguri dhe për t’u siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të Vijës kufitare administrative”, thuhet në një njoftim të KFOR-it.

Mediat në Kosovë më 7 gusht raportuan për hyrjen e forcave serbe në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Për këtë ngjarje, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se organet kompetente janë duke hartuar një raport të detajuar, duke shtuar se “veprimet tona do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”.