Klerikët e Gjilanit janë pjesë e lirisë së Kosovës

(Editorial i portalit Mediafokus)

Historikisht, shumica e klerikëve myslimanë, kanë ditur të rreshtohen drejt sa i përket çështjes kombëtare. Ata, asnjëherë nuk e kanë parë fenë si diçka që është më e rëndësishme se liria e një populli të robëruar.

Vlen të përmendet Mulla Idriz Gjilani, i cili edhe pse shërbeu si imam, çështjen kombëtare e kishte në plan të parë. Motoja e tij jetësore ishte: “Njeriu ka një nënë, ka një babë, ka një Zot, ka një Vatan që i detyrohet… Pa vatan të lirë, nuk ka as jetë, as familje, as fe, as liri dhe as xhenet”.

Në vazhdën e kësaj porosie të këtij imami hero, edhe hoxhallarët e periudhës 1990-1999, periudhë kjo e thyerjeve të mëdha ideologjike në ish-Jugosllavi, të cilat kishin filluar më herët dhe popërfundonin në Kosovë, qëndruan besnikërisht në linjën kombëtare.

Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan i hapi të gjitha dyert e veta për organizata e veprimtarë politikë, arsimorë, kulturorë, sindikalë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe të tjerë, duke krijuar edhe kushte pune në objektin e saj, pa kursyer as faltoret, kur e kërkoi nevoja.

Shumica e hoxhallarëve nuk janë kursyer për t`i ndihmuar aktivitetet kombëtare edhe me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në to.

Bashkësia Islame kishte ngelur shtëpia e vetme që mund të hapej për shqiptarët, të cilët asokohe ishin dëbuar nga vendet e punës, nga shkollat, nga spitalet, nga të gjitha institucionet publike.

Dhe, a mund të kishte hapësirë më të mirë në këto rrethana se sa Shtëpia e Zotit për të punuar e për t`u lutur për lirinë e vendit tënd.

Hafëz Avni Aliu, përkatësisht Hafëz Jashar Poçinca, si kryetarë të Këshillit të Bashkësisë Islame, në atë periudhë, kanë treguar ndjeshmëri të jashtëzakonshëm ndaj gjithë veprimtarisë së asaj kohe, që në të vërtet ishte vazhdimësi e një përpjekjeje shekullore të brezave, për çlirim dhe mëvetësi të Kosovës nga Serbia.

 Jo më pak i dobishëm ka qenë kontributi i klerikëve të Gjilanit edhe në proceset tjera të kohës, siç ishte falja e gjaqeve, që i parapriu një pajtimi dhe bashkimi të madh popullor në frontin e rezistencës paqësore e luftarake ndaj një pushtuesi shumë të egër.

Prandaj, të gjithë klerikët e atyre viteve të vështira (nuk po përmend asnjërin prej tyre, sepse me emra mund të mos i kujtoj të gjithë), janë pjesë e lirisë së Kosovës.

Kontributi i hoxhallarëve, është po aq i nevojshëm në rrugëtimin e mëtejmë, mbase shumë i domosdoshëm në rrethanat aktuale, sepse liria e Kosovës është gjysma e ëndrrës së heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, pjesë e së cilës janë edhe hoxhallarët.

Imamët kanë frymëzuar besimtarët nëpër xhami për të marrë pjesë në luftën për liri dhe ka raste që edhe vetë kanë rënë në këtë luftë.

Duke e marrë parasysh kontributin e klerikëve tanë, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan nuk është vetëm një “shtëpi e lutjeve, por edhe e luftës për liri”./Mediafokus