Komandant, na mori malli

Bejtullah Tahiri

U bënë 21 vite që pushoi së rrahuri zemra jote Komandant. Jo 21 vite, por ne nuk do të harrojmë kurrë, sepse ti shkove në pavdekësi për të jetuar ne të lirë.

Duke u rrjeshtuar në radhën e atyre që bënë histori, ti i hyre rrugës së lirisë, rrugës më të vështirë, por më të lavdishme. Duke ec kësaj rruge, ty nuk të ndali asnjë vështërsi.

Si bir i një familje të njohur atdhetare nga fshati Malishevë e Gjilanit, me sakrificën sublime për Atdhe, u rreshtove në radhën e dëshmorëve e heronjve të kombit shqiptar.

Titull më të lartë se Hero për një njeri nuk ka. Deri te ky titull, ti arrite duke bërë histori, që brezat e ardhshëm do të mësojnë se si duhet të veprohet e sakrifikohet për Atdhe.

Fillet e rrugës së lirisë ti i gjete atëherë kur mësove se gjyshin tënd Hajdarin ta vranë pushtuesit serb.

Njëherit duke dëgjuar rrefimet e Gjyshes Razie, se si pushtuesit serb ia zhduken brenda ditës familjen në fshatin Lubishtë të Vitisë, urrejtja për pushtuesit serbosllav t`u shtua edhe më tepër dhe kërkoje të rriteshe sa më shpejt që të marrësh hak ndaj pushtuesve.

Pushtuesit serb i urreje si fëmijë, duke pasur arsye të shumta, prandaj lakmoje të luftëtarët si Skënderbeu – Gjergj Kastrioti.

Ishe në shkollën fillore kur në vitin 1970 u botua për hërë të parë libri i Ali Hadrit „Historia e Popullit Shqiptar“.

Unë isha atëherë në vitin e dytë të shkollës së mesme dhe e bleva atë libër.

Duke i shfletuar bashkërisht fotot e asaj libre, pamë një foto të Skenderbeut në kalë me një shpatë në dorë.

Ty të bëri përshtypje shumë ajo foto dhe pas ca ditësh kërkove nga babai yt që të blejë një kalë.

Kjo kërkesë ishte shumë interesante për të gjithë, por në veçanti për babain tënd.

Babai të pyeti: po çka të duhet ty kali kur akoma je fëmijë?

Ti u përgjege: unë dua kalë, sepse dua të bëhem sikur Skenderbeu dhe more librin për ta bind babain tënd duke i treguar foton!

Kjo i bëri përshtypje babait tënd dhe nga dashuria e madhe që kishte për ty, ai ta bleu kalin dhe ai kalë ishte vetëm në shërbim tëndin.

Në atë moshë askush prej fëmijëve nuk kishte kalë, ishe vëtëm ti. Ti u mësove me kalëruar ate sikur të ishe i rritur, bile shpesh herë u mundoje ta bejë një foto sikur të Skenderbeut.

Pastaj kur u bëre nxënës i shkollës së mesme në Gjimnazin e Gjilanit, ti nganjëherë shkoje me kalë në shkollë.

Kalin e lidhje për disa hekura që ishin aty para derës së hyrjes së shkollës. Në të vërtetë ata hekura ishin vendosur për t`i shkrry baltën nga këpucët, por ja që ty të hyri në punë edhe për të lidhur kalin.

Këtë karakter të veçantë e shënova që t`ia paraqes brezit të sotëm, për ta kuptuar se çka fshihej në zemrën tënde si fëmijë.

Duke qenë gjithmonë i përkushtuar me çështjen kombëtare, Radio Tirana e Radio Kukësi ishin radio që i dëgjoje vazhdimisht, sepse aty e gjeje të vërtetën e coptimit të trojeve shqiptare, të vërtetën e rrugës së lavdishme të heroizmit të popullit tonë në shekuj, e ndërtimit të atdheut, e urrejtjes së armiqve tanë shekullorë serbosllav, e karakterit të rilindasve tanë, e heroizmit të krerëve të lëvizjes shqiptare, e tradhtarëve të popullit tonë.

E vërteta në Radio Tiranë jipej edhe për patriotët si Gjon Sereqi, Fazli Grajqevci, Adem Demaqi që nuk e pranuan asnjëherë robërinë serbosllave dhe gjithë jetën ia kushtuan Atdheut.

Burgosjet dhe denimet në vazhdimsi të bijëve më të mirë të popullit, si Rexhep Mala e të tjerë, të forcuan, të motivuan ty që edhe ti të dalësh në skenë më 11 Mars 1981 për t`u bërë edhe ti motivues për të tjerët deri në pavdekësi.

Shkuarja në Mensën e studentëve të Prishtinës, më 11 Mars 1981, nuk ishte për ty thjesht një shkuarje për të ngrënë një racion.

Ti atë ditë, në dallim prej shumë të tjerëve, nuk shkove rastësisht aty. Shkuarja jote ishte me vetëdije të lartë për të nis një rrugë të re të ndryshimit ekonomik e politik të gjendjes në Kosovë.

Prandaj, përpos që rrotullove një pjatë, ti ishe njëri prej nismëtarëve i përpilimit të kërkesave politike prej të cilave KOSOVA REPUBLIKË ishte kryesorja. Këtë rrugë lirie ti e kishe mësuar duke qenë anëtarë i OMLK-së.

Prandaj këtu qëndron ajo vendosmëria jote për të ecur i sigurt drejt fitores.

Duke qenë i tillë, ti prije edhe në demonstratat e viteve `89, `90. Vite të rënda këto për popullin tonë.

U mohua gjithçka shqiptare. U mohua autonomia e Kosovës, arsimi shqip. Filluan të mbushen sheshet me figura serbe që rëndonin tokën.

Cka do të kishte bërë populli në ato vite pa njerëz të sakrificës sikur ti, sikur Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakifi, Xhevat Qerimi e shumë të tjerë që prinin në demonstratat masive për të drejta e liri.

Pa veprimtarë sikur ju nuk do të kishim ardhur deri te formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhe kur në skenë doli sheshit UÇK-ja, kur Komandanti Legjendar – Adem Jashari veç kishte hyrë në luftë ballë për ballë me policë serbë, zemra jote shpërtheu Komandant Abdullah Tahiri.

Ti vrapove shpejt në zonat e luftës. Kontaktove me Shtabin e Ushtrisë Çlirimtare, gjegjësisht me Jakup Krasniqin, more instruksione nga ai dhe pas disa ditësh u ktheve në Gjilan për ta bërë edhe këtë zonë vatër të luftës pë liri kombëtare.

Duke krijuar bërthamat e para në ZOK-ut, definitivisht ti mbete edhe Komandant i parë i kësaj zone. Për këte edhe Komandant Rexha – Ahmet Isufi nuk e mohon një gjë të tillë.

Paraqitja jote në takimin e subjekteve politike në Gjilan, është diçka madhështore që bënë të krahasohet me daljen e Mic Sokolit e Selam Musa Salarisë para grykës së topit.

Në atë kohë kur pushteti të kërkonte nga çdo vend, kur njerëzit ishin të mjegulluar, kur pushteti kishte mbushur me ushtarë e paramilitarë serbë Kosovën, kur grupe të ndryshme kriminelësh bënin kërdi nëpër Kosovë.

Ti Komandant Abdullah Tahiri, dole hapur, para subjekteve politike në Shkollën «Selami Hallaqi» në Gjilan dhe u drejtove asaj mase politike duke ju bërë thirrje «për një bashkim të popullit rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës»

Kjo thirrje, Komandant, nuk u bë diku nga malet, por në mes të qytetit, në pikë të ditës. Kjo thirrje nuk ishte veç thirrje, por kushtrim rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nuk di për atë kohë në këtë Zonë të Karadakut, a bëri kush trimëri më të madhe se kjo që bëre ti.

Prandaj, ky kushtrim jehoi gjatë dhe çdo shqiptarë edhe sot të admiron, të përulet me respekt të veçantë.

Na dhemb zemra që të vunë pranga, të torturuan mizorisht dhe në fund të vranë në burg.

Shpirti nuk na qetësohet kur kujtojmë vuajtjet e tua. Por heroizmi yt na bënë krenarë jo vetëm si familje, por edhe si komb.

Na mori malli Komandant. Shumë na mori malli se këtë përvjetor të pritnim të na vije në shtatore me flamur në dorë, me shikim të vendosur, duke na motivuar edhe në këto ditë kur akoma flitet për fatin e Kosovës.

Prezenca jote, i skalitur në bronz të Nënës Shqipëri me flamur Kombëtar sikur na kishte kujtuar sërish kushtrimin tënd për bashkim kombëtar.

Lavdi veprës tënde Komandant Abdullah Tahiri!