Koronavirusi apo përbindëshi që na gëlltiti lirinë

Shkruan: Rexhep Abazi – Medvegjë

Ndodhi se ç’ndodhi dhe unë u gjeta në Prishtinë në kohën kur njerëzia filloi të ballafaqohej me përbindëshin e padukshëm të quajtur CORONA.

U nisa nga Medvegja në mbrëmje të premtes së 12 marsit 2020, të vij në vizitë tek djali i madh Petriti për t’i parë edhe nipin e mbesën, Elsën dhe Endritin, e për ta kaluar një fundjavë të bukur me ta. Në hyrje të Kosovës në Mutivodë ma bënë një kontroll ekipi mjekësor dhe thanë se mund të hyjë. Por, policia e kufirit më thonë: po flitet se do të mbyllen hyrje daljet. Nuk u desh të pritej shumë, deri sa unë erdha në Prishtinë, në lajmet e mbrëmjes u tha se Kosova mbyllë kufijtë si masë parandalimi e kontrollimi të përhapjes së epidemisë të cilën e kishte shpallur OBSH. Shumë shpejt edhe Serbia shpalli gjendje të jashtëzakonshme, kështu unë ngela këtu ku jam, sepse sikur të kthehesha në Medvegjë më priste karantinimi së paku për 28 ditë. Dhe unë thash më të rri në Kosovë, sepse kjo gjendje edhe nuk do zgjasi shumë e do kthehem në shtëpi.

Jo or, kjo zgjati e stërzgjati, sot po bëhen pesëdhjetë ditë. Këtu në Kosovë situata me pandeminë filloi të eskalonte prej ditës në ditë. Numri i të prekurve me virozë shtohej e konform kësaj edhe masat preventive, parandaluese e intervenuese ndryshonin nga dita në ditë e shpesh nga ora në orë. Shpejt u futën në karantinë shumë qytete të Kosovë, mbase edhe Prishtina duke e kufizuar daljen nga shtëpia të personave me moshë mbi gjashtëdhjetë e pesë vjeç, ndërsa për të tjerët dalja nrenda 24 orëve vetëm një orë e gjysmë. Urdhri është urdhër, e kur ka të bëjë me jetën a vdekjen atëherë është më i fortë se kurrë. Kështu u mbyllëm në shtëpi pa hyrje e dalje.

Kohë pranvere, natyra është zgjuar nga gjumi i dimrit, ka gjelbëruar në çdo kënd, edhe në maje të malit e në skaj të livadhit. O Zot i Madh, a rrihet brenda tani?! Po, rrihet nga zori, përndryshe edhe i lidhur do ishte e vështirë, duheshe thyer prangat. Por frika e ka bërë të veten, na mbështeti për muri, na mbylli, na ndau nga jeta, nga puna, nga aktiviteti, nga takimet, nga bashkëpunimi e bashkëveprimi, nga vëllai e motra, nga miku e shoku dhe tani jetojmë si të vdekur, jetojmë sa për  të ngrënë bukë, për të pirë ujë e për të marrë frymë. Po, kështu është hë për hë. Kuptohet, lajmet i dëgjojmë për çdo ditë për të mësuar sa njerëz vdiqën, sa u sëmurën, sa u shëruan, sa të tjerë u prekën nga viroza në Kosovë, në Amerikë, në Gjermani, në Australi, në Tonguzi e ku jo…por pa lajme se sa të lindur ka në Prishtinë, në Gjakovë, në Skenderaj….
Dëgjojmë udhëzimet dhe urdhrat: mbani distancë 2 m, mbani kontroll, mbani kujdes, lani duart, bëni dezinfektim të çdo gjëje, mbani dorashka, mbani maska…bëni, bëni, bëni….Me këto gjëra fillon dita, zgjatë kështu dhe mbaron po me këto gjëra. E rëndë, për t’mos thënë e tmerrshme. Por edhe kjo qenka jetë. Edhe kështu po u jetoka. Mbase ritmi normal i jetës totalisht u çrregullua. Por edhe kjo e ka një të mirë. Jemi të gjallë. Por… me frikën e së nesërmes.  Dikush nuk është më, e mori epidemia. U bë hero i kësaj lufte me jetën a vdekjen.

Po i veçoj për momentin dy nga ditët, për mua karakteristike, të kësaj kohe, 1 dhe 2 majin 2020.

Me 1 maj të çdo viti në komunën e Medvegjës organizonim një takim të shqiptarëve të quajtur                  “ TAKIMET E VENDLINDJES”, kështu e quajtëm pas viteve 1999/2000, pas ndryshimeve radikale që ndodhën në at trevë me dëbimin e popullatës shqiptare nga dhuna e shtetit të Serbisë nën regjimin e Millosheviqit. Përndryshe, këto takime bëheshin edhe përpara kësaj kohe, por jo me këtë emërtim dhe bëheshin në dy fshatrat më të mëdha shqiptare në Sfircë e në Tupallë, për të gjitha ato vendbanime andej.

E këtë vit të pezullimit të të gjitha aktiviteteve masovike në tërë botën duhet respektuar edhe ne, po edhe lëvizja e kufizuar nuk lejon ndryshe. Andaj unë si edhe të gjithë të tjerët mbetëm të mbyllur në shtëpi. Më kapi siklet, ishte e vështirë. Hyja e dilja jasht e brenda, kuptohet deri në oborr, jo më larg dhe në këtë lëvizje më ra në sy koha e kësaj dite me diell e me re. Ndërroheshin herë diell, herë retë e bardha si shtëllungë leshi delesh. Dhe dikur kah dreka siç filloi të binte një shi i imtë, i butë i nxehtë, por që mua më ngjau në lotin e fëmijës i cili, që të mos lëshoi zë të vajit, lëshon lot pa ndalë duke iu rrokullisur nëpër faqe. Dhe kjo më asocoi se a mos po qanë edhe natyra me lotët e shiut që sot në Tupallë të Medvegjës nuk po mbahet takimi i shqiptarëve? Mendova se po dhe më rrodhën lotët të cilët iu bashkëngjitën shiut të pranverës.

Të nesërmen, me 2 maj, ditë e shtune, me t’u gdhirë dola në oborr dhe pashë se Zoti e kishte lëshuar një shi të begatë, të prajshëm e të mirë. Qeshte bari i gjelbër, qeshnin lulet e oborrit të vogël pas shtëpie, qeshte pylli i gjelbëruar përballë shtëpisë së Petritit, ajri dukej sikur kishte kaluar nëpër filtrin më të përsosur dhe i mbushte me të madhe mushkëritë e etura për natyrë. Ishte frymëzim për jetë kjo. Por përsëri mua më kapi sikleti për Sfircën time, në të cilën gjatë tërë jetës në këtë kohë isha ose në arë, ose në livadh, ose në mal, ose në kopsht, por jo brenda në shtëpi. Dhe përsëri u hap ventili i lotëve të mi, pse është kështu e jo ashtu siç ishte gjithmonë???!!!

Zoti i Madh e din sa e si do shkoj kështu? Robi i tij tekanjoz, i quajtur njeri, u tregua më i dobëti nga të gjitha qeniet e gjalla për këtë  dhe në këtë situatë edhe pse po trumbeton se po bën luftë titanike për të shpëtuar llojin e tij. Përbindëshi i quajtur Corona virozë na gëlltiti lirinë, lumturinë, guximin, inshaAllah na kursen jetën!

Prishtinë, 2 maj 2020