Korridor i ri ajror Shqipëri-Kosovë, shkurtohet rruga për 15 minuta

Korridor i ri ajror Shqipëri-Kosovë, shkurtohet rruga për 15 minuta. Kjo mundësohet me një marrëveshje ndërmjet “Albcontrol” dhe Agjencisë së Shërbimeve të Navigimit Ajror të Kosovës, për koordinimin e trafikut ajror Tiranë – Prishtinë.

Në një postim në faqen zyrtare të ASHNA-s është bërë e ditur se një hap i tillë mundëson normalizimin e hapësirës ajrore të Kosovës, pasi korridori i ri ajror shkurton për rreth 15 minuta fluturimet.

“Ky është një hap i rëndësishëm për normalizimin e hapësirës ajrore të Kosovës, sepse korridori i ri ajror do t’i shkurtojë për rreth 15 minuta fluturimet në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ dhe si rrjedhojë do t’i rrisë përfitimet e udhëtarëve, do t’i ulë kostot operuese të kompanive ajrore dhe emetimet e karbonit drejt një aviacioni më të gjelbër”, thuhet më tej në njoftim.

Kjo marrëveshje është lidhur në kuadër të projektit “Mbledhja për normalizimin e aviacionit të Ballkanit” (BANM), e udhëhequr nga NATO-ja./mediafokus