Kosova e ka paguar dhjetëfish më shumë tokën ku është ndërtuar Ujmani

Avdi Gjonbalaj ka shprehur mospajtime me disa interpretime në media lidhur me liqenin artificial Ujmani, duke thënë se është i pavend krahasimi me liqenin e Fierzës.

‘Liqeni i Fierzës është ndërtuar sipas konditave të Protokollit të Mbledhjes së Dytë të Jashtzakonshme të Komisionit Shqiptaro-Jugosllav për Ujëra dhe është ratifikuar nga të dy shtetet dhe nuk ka asgjë të ngjajshëm me liqenin e Ujmanit.

Liqeni i Ujmanit është ndërtuar nga Kosova, kontrata Yu 777 është lidhur mes Bankes Botërore për Zhvillim dhe Rindertim (IBRD) dhe Ndermarrjes Ibër-Lepenc për ndertim dhe shfrytëzim të H.S. Ibër-Lepenc e cila është formuar me Ligjin për Themelim nga Kuvendi i Kosovës.

Kontrata është ratifikuar nga Kuvendi i Jugosllavisë dhe Kuvendi i Kosovës.

Toka mbi të cilën është ndërtuar liqeni është paguar madje shumë shtrenjt, dhjetëfish më shumë se sa ishte llogaritur dhe është bartur në kataster në pronarin Ndermarrjen Ibër-Lepenc.

Pavarësisht se toka është blerë, kufiri do te jetë aty ku ka qenë që nga muaji gusht i vitit 1945, kufi i sanksionuar me Ligjin mbi Konstituimin dhe Rregullimin e KAKM.

Në asnjë vend të botës nuk do të gjeni një bashkëqeverisje të pronës së një shteti nga dy shtete.

Kjo do të jetë shpikje e servilëve të pa kurriz’./mediafokus.info