Kosova fillon zbatimin e marrëveshjes për rrjetin 5G

Kosova ka filluar zbatimin e një pikë të marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington më 4 shtator.

Kjo ka të bëjë me rrjetin 5G dhe përdorimin e pajisjeve të teknologjisë nga shitës të sigurt.

“Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku tashmë ka pajisje të tilla, të dyja palët angazhohen për heqjen e tyre dhe përpjekje tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur”, thuhet në njërën nga pikat e kësaj marrëveshje, shkruan Telegrafi.

Sipas Qeverisë, Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm për rrjetet e komunikimit.

“Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, pas takimit të kryeministrit Avdullah Hoti me përfaqësuesit e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Lidhur me këtë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka përgëzuar Kosovën, që siç ka thënë, është siguruar se rrjetet e saj të gjeneratës së pestë të komunikimeve, janë në rrugë të pastër nga ofrues që nuk u besohet dhe në linjë me marrëveshjen Washingtonit.

“Ne e përgëzojmë Kosovën për sigurimin që rrjetet e saj 5G janë në një rrugë të pastër, jo nga shitës të pabesueshëm, në përputhje me Marrëveshjet e Uashingtonit. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt integrimit të sigurt të komunikimit rajonal dhe zgjerimit të ekonomisë dixhitale të Kosovës”, ka thënë Kosnett përmes një shkrimi në Twitter