Kosova kthehet me një pikë nga Greqia

Kosova luajti baras në Greqi dhe kështu mori një pikë, por mbi të gjitha bëri një paraqitje të mirë. Po të kishim pak fat, Kosova do të kthehej nga Athina me tri pikë.

Kanë impresionuar sidomos portieri Aro Muriç, i cili mbrojti edhe penalltinë si dhe Lirim Kastrati, i cili po të tregohej pak më egoist, ka mundur të shënonte, por ai zgjodhi të bashkëpunojë me ekipin dhe humbi një rast ideal për ta tundur portën greke.

Pjesën e dytë të lojës e dominoi Kosova, por nuk ia doli t`i konkretizojë rastet përballë një Greqie shumë të fortë.

Rastin me ideal e pati Paqarada në minutën e 53-të, kur goditjen e tij e largoi nga vija e portës një lojtar grek.

Pas këtij barazimi, Kosova ka 2 pikë dhe mban vendin e tretë në grupin e saj, derisa Sllovenia pas fitores se sotme kundër Moldavisë 0-4 është në vendin e parë me 10 pikë.

Greqia mbetet në vendin e dytë me 8 pikë në grupin 3 të Ligës C të Kombeve.