Kosova mund ta rrezikojë të ardhmen e vetë nëse e refuzon vendimin e Kushtetueses

Myzejene Selmani

Kosova është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që duhet të hapë rrugë për tejkalimin e ngërçit institucional, pasi qeverisë Kurti iu mor besimi nga shumica parlamentare, për të vazhduar më tutje.

Rasti është dërguar në Kushtetuese nga presidenti Thaçi.

Por brengos reagimi i VV-së, e cila po përgatitet për protesta, për të kundërshtuar garantin e Kushtetutës dhe të Demokracisë, nëse vendimi nuk është në favor të saj.

Këto lëvizje, në një moment bukur të komplikuar ndërkombëtar në raport me Kosovën, kanë shqetësuar subjektet tjera politike, popullatën e Kosovës dhe miqtë e saj.

Jo rastësisht edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë bëri thirrje për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga të gjitha palët.

Vendimi nuk është opsion politik, të cilin partitë mund ta pranojnë ose refuzojnë, por është çështje kyçe për demokracinë kosovare.

Politika kosovare duhet t`i ketë parasysh edhe zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe të mos largohet shumë nga interesat e miqve të saj, sepse pa ta rrezikon të ardhmen dhe ekzistencën e vetë.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentit Hashim Thaçi pritet të publikohet brenda dy ditëve të ardhshme.

Urojmë që Kushtetuesja të mos jetë ndikuar nga reagimet dhe presionet që gjithë kësaj kohe janë bërë në drejtim të Kushtetueses nëpërmjet deklaratave publike, sepse nga vendimi i saj varet e ardhmja e demokracisë në shtetin tonë, për të cilin të gjithë kemi kontribuar dhe të gjithë duhet të brengosemi për të.