Kosova ndërmjet udhëkryqeve gjeografike dhe gjeopolitike

Myzejene Selmani

Shqiptarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se Evropa nuk është aleati i tyre më besnik, sado që na ka mbështetur herë pas here. Në momentet kritike, Evropa na e ka kthyer shpinën. Këtë mësim duhet ta kishim marrë edhe nga historia.

Kjo nuk nënkupton se me Evropën duhet t`i shkëputim marrëdhëniet, assesi jo, sepse jemi pjesë e një kontinenti, siç nuk po mund t`ia mbyllim dyert as Serbisë, sepse fati ynë i keq e ka dashur që t`i kemi fqinjë.

Kosova ka të ardhëm si shtet dhe shqiptarët si komb, vetëm nëse dinë të ruajnë miqësinë me Amerikën.

Kosova gjithmonë duhet at ketë në mendje mesazhin e ish-presidentit Rugova për miqësi të përjetshme me SHBA-të.

Pavarësisht se takimi në Washington dështoi tani për tani, Kosova do ta fitojë edhe këtë sfidë serioze, nëse di të bashkëpunojë me SHBA-të, pavarësisht zërave të ndryshëm, që jo rrallë dhe jo pak herë i japin të drejtë Evropës.

Është e vërtetë se gjeografikisht, rruga e shqiptarëve kalon nëpër Evropë, por gjeo-politikisht, nis e përfundon në Amerikë.

Evropa na e ngriti edhe njëherë kurthin në prag të takimit historik në Washington. Krimet dhe masakrat e Serbisë mbi popullsinë civile në Kosovë, nuk krahasohen 100 vrasje të supozuara.

Bota e ka të qartë se UÇK-ja nuk ka kryer krime në Serbi, por ka bërë luftë mbrojtëse në vendin e vetë, ka mbrojtur nderin dhe pragun e shtëpisë e të familjes.

Evropa e di mirë këtë, por po hiqet sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Kosova do të dijë ta përballojë edhe këtë stuhi. Kosova ime, e kalitur nëpër furtuna do të dijë të bëhet bashkë edhe sërish, për ta dalë faqebardhë edhe prej kësaj sfide politike.

Shqiptarët duhet ta kuptojnë se këtu nuk ka humbës individual, kushdo qoftë ai dhe sido që ta ketë emrin, prandaj duhet ta ndërpresin serinë e akuzave të ndërsjella.

Nuk është momenti për luftë të brendshme politike. Kosovës po i atakohet shtetësia, qenësia politike, e ardhmja e saj…

Mblidheni mendët shqiptarët e mi….