Kosova në mes verbërisë së pulave dhe Bufit të Minervës!

Prof. Dr. Martin Berishaj

Në Kosovë mbisundon verbëria e pulës. Kur errësohet, shqiptarët në Kosovë kanë probleme me orientim në hapësirën politike. Kjo lloj verbërie, shpërfaqet atëherë kur shihet vetëm një problem, një burim i vetëm i të gjitha problemeve, një kërcënim i vetëm, një armik i cili ka emërues të përbashkët të keqes, të gjithçkahit – Hashim Thaçin.

Dhe kur në çdo hap ngatërrohemi në të, atëherë si normë bëhet vetëm një gjë – largimi i tij nga pushteti. “Pra të jenë, thjesht, kushdo tjetër President  por jo ai”.

Ky lloj botëkuptimi na ka sjell në pozitë që të kemi pikërisht Hashim Thaçin në pushtet.

Por këtë herë nuk do të shkruaj për të!

Në Kosovë nuk është i vetmi problem qeverisja e Thaçit, por problemi i vlerës ”së shtuar” të kësaj qeverisje, dorës së zgjatur të tij – ai i qeverisë Hoti.

Problemi është roli i ri i qeverisë si institucion apo si qendër e pushtetit tejet jo konvencional dhe i rrezikshëm për Kosovën, me të cilën e përçudnojnë rolin e parlamentit.

Por njëkohësisht, me qëndrimin e tyre në pushtet (pa numër të nevojshëm të mandateve të deputetëve) gjithnjë e më shumë zhvlerësohen zgjedhjet si mekanizëm themelor për vendosjen e pushtetit.

Sipas kësaj logjike, votuesit tashmë nuk vendosin me votën e tyre pushtetin, ndërkohë që edhe pushteti është i papërgjegjshëm ndaj votuesve.

Prandaj shteti kthehet kur njerëzit nuk kanë më ndikim dhe kontroll mbi të.

Qeveria Hoti, si jo legale, sepse nuk ka numrin e nevojshëm të deputetëve të koalicionit qeverisës, e për pasojë edhe jo legjitime, po çmonton legjislaturën përfaqësuese dhe si rrjedhojë demokracinë edhe ashtu të brishtë në Kosovë.

Dhe… edhe nëse në fund të këtij muaji (deri me 24 tetor) konfirmohet aktakuza nga Dhomat e Specializuara të Drejtësisë, për Thaçin, shqiptarët në Kosovë do të jetojnë akoma me të. Nën të. Thjesht, ndoshta atëherë nuk do ta urrejnë më (aq shumë) !