Kosova nuk duhet të dorëzohet përpara ndërmjetësuesve

Autor: Msc.Skender Berisha

Nuk je patriot vetëm se të luftosh për atdheun. Kontributi që mund t’i japësh vendit apo shoqërisë bëhet edhe në mënyra të tjera.

Ka momente kur mendon se të gjithë e duan vendin ashtu sikur ti. Por, ndonjëherë kur s`ke qëndrim stabil dhe e vë në dyshim qëndrimin tënd, këtë s`mund ta thuash për të tjerët.

Gjithsesi edhe po ta urresh, nuk është fryma e fundit e këtij vendi. Jo!

Nuk ka mbetur fati i Kosovës në duart tua, të atij, apo të atij që fshikullon duart.

Fati i Kosovës është i lidhur ngushtë me qytetarët e saj.

Fatkeqësisht lufta nuk qe një leksion për ne që të vazhdojmë të qëndrojnë bashkë. Qytetarët i ndau politika.

Mënjanë ata, mënjanë këta, dhe të gjithë kishin një refren “E përparuam këtë vend”.

Zhvillimet politike në vend i kanë bërë konfuz qytetarët e vendit. Dinamika e çështjes së bisedimeve ka marrë një kthesë.

Zgjedhjet në BE, pastaj pandemia patën ndikim në këtë drejtim.

Këtë hendek e shfrytëzuan ShBA, duke emërtuar një emisar z. Grenell për zgjidhjen e problemit të Kosovës, të provojë të mbyllë këtë çështje të hapur mes dy shteteve Kosovë-Serbi.

Siç duket proceset brenda BE-së dhe deklarimet e tyre rreth kundërshtimit për ndryshimin e kufijve patën ndikim në këtë proces.

Gjithashtu zhvillimet në BE dhe mos liberalizimi i vizave për Kosovën kanë qenë direkt determinues në jetën sociale dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Ruajtja dhe forcimi i marrëdhënieve ndërmjet vendeve respektuese që e kanë njohur Kosovën është lënë anash nga politika kosovare, duke mos e shfrytëzuar kapacitetin e tyre për të qenë partnerë në shumë fusha, si dhe lobimi i tyre në vendet që se kanë njohur Kosovën të jetë më i madh dhe më domethënës.

Politika kosovare vazhdimisht është deklaruar për ruajtjen e substancës dhe integritetit territorial, si dhe rendit të brendshëm kushtetues. Edhe pse ishin deklarata populiste shpresojmë të mos dorëzohen.

Në këtë proces të dialogut, që duket se ka ardhur në fillimin e fundit të saj, Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për të qenë unike dhe të ketë qëndrimin e saj.

Tani është nevoja të lëvizet çdo gurë, që kjo çështje të përfundojë në favor të Kosovës dhe ruajtjes së territorit dhe integritetit të saj kushtetues.

Fuqia e presionit duhet të hiqet nga Kosova, ajo duhet të përqendrohet në shtetin serb, dhe reciprociteti të jetë përfundimi i bisedimeve që do të thotë njohje reciproke mes dy vendeve.

Përndryshe një marrëveshje historike në dëm të Kosovës, për gjeneratat e ardhshme do të jetë një problem i ngrirë me mundësi e zgjerimit të problemit edhe në shtetet e rajonit.