Kosova nuk guxon ta refuzojë Amerikën

Myzejene Selmani

Opozita kosovare po shfaq dilema sa i përket ftesës zyrtare për një takim në Shtëpinë e Bardhë me palën serbe, pa menduar se cila do të ishte alternativa tjetër për të lëvizur nga ky pozicion.

Para se të refuzojmë ofertën amerikane, ne duhet të pyesim veten a jemi aq të fuqishëm që këtë problem ta zgjidhim vetëm. Përgjigja dihet.

Dilema tjetër është se kënd duhet të zgjedhim ndërmjet Evropës dhe Amerikës.
Edhe këtu përgjigja dihet.

Kosovës i duhet mbështetja e të dy këtyre faktorë vendimmarrës, por kur ata nuk kanë dakordancë mes vete rreth çështjes sonë, atëherë dihet nga duhet të rreshtohemi ne.

Në këtë rrugëtim të gjatë kemi ecur në rresht me Amerikën dhe asaj nuk mundemi dhe as nuk guxojmë t`ia kthejmë shpinën as tani.

Zgjidhja e ofruar nga Amerika, nuk mund të jetë në dëm tonin, sado që për momentin mund të na duket e diskutueshme.

Ne duhet të besojmë te Amerika. SHBA-të dinë të gjejnë shtigje për të lëvizur përpara, nëse rruga është bllokuar.

Jam e bindur se edhe tani po kërkohet një shteg i tillë.

Rrugëtimi ynë me Amerikën nuk përfundon këtu.

Kosova është bllokuar dhe nuk mund të lëviz përpara as ekonomikisht, pa e përmbyllur këtë fazë finale.