Kosova po mendon t`i rikthejë masat e plota të izolimit

Shqipëria dhe Kosova rrezikohen seriozisht nga vala e dytë e koronavirusit. Këtë rrezik e ka paralajmëruar edhe OBSH-ja.

Kosova dhe Shqipëria rezultojnë ndër vendet më të prekura me raste të reja në rajon, bashkë me Maqedoninë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bëri një paralajmërim për mundësinë e rikthimit të masave të plota të izolimit.

Hoti tha se nëse vazhdohet me shtim të rasteve, sistemi shëndetësor mund të kolapsojë dhe situata të dalë nga kontrolli.

Kosova ka gjithsej 2169 raste me Covid-19 të konfirmuara. Prej tyre 1047 persona janë shëruar ndërsa 40 kanë ndërruar jetë.

Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova ka shtim të madh të rasteve të cilat erdhën pas lehtësimit të masave.

Shqipëria  ka për momentin 2402 raste totale me Covid-19. 1384 persona janë shëruar ndërsa 55 kanë ndërruar jetë.

Shqipëria qëndron pak më mirë se Kosova me raste aktive. Për momentin janë 963 persona me virus në Republikën e Shqipërisë.

Shumë më keq qëndron Maqedonia e Veriut. Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 148 rsate me Covid-19 në këtë shtet. 6080 raste janë të konfirmuara gjithsej, ndërsa 2315 persona janë shëruar. 286 të tjerë kanë humbur jetën pas prekjes nga virusi. 3479 raste janë ende aktive.