Kosova rrezikon t’i humb 250 milionë euro për shkak të ndasive politike

Rreth 250 milionë euro Kosova mund t’i humb nëse Kuvendi nuk i miraton pesë marrëveshje ndërkombëtare.

Paratë nga këto marrëveshje është planifikuar të përdoren për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, por Kuvendi nuk i miratoi në seancën e fundit për shkak të mungesës së kuorumit.

Zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi thotë për RTV Dukagjinin se sektori privat do të pësonte më së shumti nëse këto marrëveshje ndërkombëtare nuk ratifikohen në Kuvendin e Kosovës.

“Më së shumti do të goditet pjesa që ka të bëjë me rimëkëmbje ekonomike dhe sektorin privat nëse këto mjete nuk futen në buxhet”, deklaroi Agim Krasniqi, përcjell Telegrafi.

Profesori universitar Muhamet Mustafa thotë se partitë politike në pika të tillë asnjëherë nuk duhet ta bllokojnë njëra-tjetrën.

“Lufta primitive e partive politike po shprehet edhe në çështje që janë shumë të ndjeshme për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, siç janë marrëveshjet ndërkombëtare dhe dialogu me Serbinë. Është koha e fundit që kryetarët e partive politike parlamentare dhe shefat e grupeve parlamentare të këtyre partive të arrijnë një marrëveshje bontoni që luftën politike të mos e shprehin në çështjen e dialogut me Serbinë dhe në çështjet e marrëveshjeve ndërkombëtare pasi dëmet janë shumë të mëdha”, deklaroi Muhamet Mustafa.

Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane thotë se çdo vonesë në miratimin e këtyre ligjeve do të ndikojë edhe ën rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës.

“Pos kësaj Kosova do ta humb edhe hapin me shtetet tjera të Ballkanit sa i përket zhvillimit ekonomik pas pandemisë”, ka shtuar më tej Arian Zeka.

Për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend.