Kosovarët zënë vendin e pestë në demografinë e Zvicrës

Zyra federale e statistikave në Zvicër ka publikuar një studim në lidhje me origjinën e popullatës, ku kosovarët zënë vendin e pestë në demografinë e shtetit helvetik.

Në fund të vitit 2018, Zvicra kishte 8.544.527 banorë, ose 60.397 më shumë sesa në vitin 2017. Popullsia zvicerane ishte 6.396.252, kurse popullsia e huaj 2.147.275.

Në vitin 2018, më shumë se 2.1 milionë të huaj jetonin në Zvicër, nga të cilat 19 për qind kishin lindur në Zvicër dhe 81 për qind jashtë saj.

Ndër kombësitë më të përfaqësuara janë italianët, gjermanët, portugezët, francezët dhe kosovarët.

Në vitin 1910, Zvicra kishte 14.7 për qind të huaj, një normë që u tejkalua për herë të parë në vitin 1967, me përjashtim të një rënie në vitet 1975 deri 1979 dhe një rënie të vogël më 1983, përqindja e të huajve vazhdoi të rritet pas kësaj, për të arritur në 25 për qind deri në fund të 2018-tës.

Shtetësi të dyfishtë të përhershme kanë 18.1 për qind e popullsisë zvicerane të moshës 15 vjeç e sipër ose 966.023 persona. 64.3 për qind e këtyre personave fituan shtetësinë zvicerane me natyralizim, ndërsa 35.7 për qind të tjerë kanë lindur në Zvicër.

Nacionaliteti italian është më i pranishmi (24.2 për qind) në mesin e shtetasve me shtetësi të dyfishtë, i ndjekur nga francezët (11.2 për qind) dhe gjermanët (8.2 për qind).

Të dhënat janë publikuar nga Departamenti federal për çështje të brendshme në kuadër të Zyrës federale të statistikave.