Kosovës ia kalon veç Maqedonia e Veriut për numrin e viktimave nga COVID-19

Kosovës ia kalon veç Maqedonia e Veriut për numrin e viktimave në një milion banor nga COVID-19.

11 vdekje të reja janë shënuar brenda 24 orëve të fundit në Kosovë, sipas raportit zyrtar të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, raporton Mediafokus.info.

Me rastet e fundit, Kosova shënon 365 viktima të COVID-19, brenda më pak se pesë muajve, që i bie më shumë se dy viktima brenda ditës.

Sipas një statistike të publikuar para dy ditësh nga Ministria e Shëndetësisë, Kosova në një milion banorë ka 184 vdekje, duke lënë mbrapa Gjermaninë e cila ka 110 vdekje në një milion banorë, Portugalinë me 173 vdekje, derisa Belgjika është shteti që ka më së shumti vdekje në një milion banorë – 851, vijon Mediafokus.info.

Ndërkohë, në shtetet e Ballkanit më së miri qëndron Kroacia me vetëm 39 vdekje në një milion banor, e pasuar nga Sllovenia me 62, Shqipëria me 70 vdekje, Serbia me 92, Mali i Zi me 102, Bosnja dhe Hercegovina me 130.

Maqedonia e Veriut është shteti i Ballkanit që ka më së shumti vdekje për një milion banor, gjithsej 253, raporton Mediafokus.info.

Ndryshe, rasti i parë i konfirmuar me coronavirus në Kosovë është një 77-vjecar nga Stublla e Vitisë, më 13 mars.

Ndërkaq, viktima e parë e virusit corona është një 82-vjeçar nga Dumnica e Podujevës, i cili ndërroi jetë më 22 mars 2020./Mediafokus.info/