Kryeministri Hoti vazhdon takimet në Bruksel

Pas takimit me kryesuesin e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka takuar në Bruksel edhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, raporton mediafokus.info

Hoti ka thënë se e ka njoftuar presidentin e Këshillit Evropian për prioritetet e Qeverisë.

“Sot takova presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, të cilin e njoftova për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, siç është procesi i liberalizimit të vizave, menaxhimi i pandemisë të shkaktuar nga COVID 19, pakoja e rimëkëmbjes ekonomike, si dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit.”

Gjithashtu, kryeministri ka bërë të ditur se në takim është biseduar edhe për rëndësinë e liberalizimit të vizave.

“Kam theksuar se liberalizimi i vizave mbetet ndër çështjet më urgjente në raport me Bashkimin Evropian, dhe rëndësinë që ka përmbyllja e këtij kapitulli, në mënyrë që qytetarët e Kosovës sikurse edhe fqinjët e tyre të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE.”/mediafokus.info/