Kryetarët kundërshtojnë zvogëlimin e buxhetit për Komuna për 33 milionë euro

Këshilli i Kryetarëve ka mbajtur sot takim virtual për qëndrimin e përbashkët lidhur me takimin e nesërm të Komisionit të Granteve të Qeverisë së Kosovës.

Pas debateve dhe diskutimeve, Këshilli i Kryetarëve rekomandon në mënyrë unanime që kryetarët e Komunave në Komisionin e Granteve të mbrojnë qëndrimin e Kryetarëve të Komunave të Kosovës:

Këshilli i Kryetarëve kërkon që të mos ketë zvogëlim prej rreth 33 milion euro për komunat e Kosovës.

– Me shkurtimin e buxhetit ndaj komunave do të ndërpriten shumë projekte vitale të komunave.

– 33 million euro nuk janë shumë për Qeverinë qendrore në realizimin e projekteve ndërsa janë shumë para dhe janë ndihmesë shumë e madhe për Komunat, sidomos në investimet kapitale dhe mallra dhe shërbime e sidomos në këtë kohë.

– Duhet marrë parasysh që vetëm rreth 25% e buxhetit total të Kosovës ndahet për komuna dhe shkurtimet e parapara do të rëndojnë edhe më tutje jetën e qytetarit.

– Poashtu shumë komuna kanë kontrata e disa janë afër marrëveshjeve të projektuara për investime kapitale dhe këto shkurtime do të jenë tejet të dëmshme për komunat e Kosovës.

– Kështu shkurtimi i buxhetit për komuna do të ndërpresë shumë projekte që kanë qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve.

– Duhet marrë parasysh që shumë komuna gjatë kësaj kohe kanë falur tajsa, qira për bizneset etj., kështu ka rënie drastike të të hyrave vetanake.

– Rrezik që pandemia do të zgjasë dhe nëse shkurtohet buxheti për komuna atëherë edhe ballafaqimi i komunave me pandemi do të jetë më i vështirë në mos i pamundur, thuhet në njoftimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.