Ku mund të lajmërohen vullnetarët kundër koronavirusit?

Grupi i Vullnetarëve Kundër Coronavirusit në Kosovë ka krijuar një platformë online, ku mund të lajmërohen të gjithë ata që janë të gatshëm të ndihmojnë vendin për menaxhimin e kësaj situate si dhe tejkalimin e saj më sa pak pasoja që të jetë e mundur.

Numri i të prekurve me coronavirus, deri tani ka shkuar në 21 dhe gjeografia e shtrirjes së virusit ka përfshirë disa komuna.

Nga Gjilani, këtij grupi që e ka  hapur Luan Hasanaj, i janë bashkuar Arjeta Maka dhe Leotrim Murati.

 Duke e parë situatën në të cilën po kalon vendi ynë, ne jemi duke tentuar të grumbullojmë numër sa më të madh të vullnetarëve, pa marrë parasysh profesionin, të cilët në rast të rritjes së epidemisë në përmasa të mëdha do të ndihmonin vullnetarisht, në përputhje me rrethanat, ka thënë Arjeta Maka për portalin mediafokus.info.

Ata që janë të interesuar për t`iu bashkuar kësaj nisme, duhet që të lajmërohen në këtë platformë online dhe t`i  japin të dhënat e tyre dhe në rast nevoje, ata do të thirrën për të ndihmuar sipas nevojës.

 Këto aktivitete janë duke u koordinuar maksimalisht me institucionet kompetente.

“Në data-bazën tonë, deri më tani janë lajmëruar 160 profesionistë shëndetësorë dhe 60 vullnetarë të profesioneve tjera, të cilët janë të  gatshëm të angazhohen në rast nevoje”, ka thënë Maka.

Sipas saj, disa prej këtyre vullnetarëve janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, për të konfirmuar gatishmërinë e tyre për të ndihmuar./mediafokus.info