Kujt ia dorëzuan amerikanët çelësin e kampit “Montith” në Gjilan

Tetë vite pas hyrjes në Kosovë (korrik 2007), paqeruajtësit amerikanë e mbyllin kampin “Montith” në Gjilan, që ka qenë baza e dytë në sektorin e lindjes, ku ata ishin vendosur në qershor të vitit 1999, për të siguruar paqen në këtë rajon.

Kampi “Montith”, i cili për gjilanasit ishte një shtëpi paqe dhe shprese për këto vite, u dorëzua te TMK-ja, shkruan portali mediafokus.info

Gjenerali Dougllas Earhart, komandant i Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes (BSHL), tha se kjo është një ditë historike për BSHL-në, ditë historike për Kosovën.

“Ushtria amerikane, më 1999 kur hyri në këtë kamp, Kosova dhe Gjilani ishin ndryshe. Gjatë 8 viteve kemi parë një përparim shumë të madh në Kosovë dhe sot këtu sundon paqja dhe bashkëpunimi. Sot ia dorëzojnë çelësin e këtij kampi TMK-së”, tha gjenerali Earhart.

“Ne i njohim përparimet e bëra në këto vite, prandaj sot po bëhet kjo ceremoni historike”, ka thënë ai.

Gjenerali Imri Iliazi, komandant i zonës së gjashtë mbrojtëse të TMK-së, tha forcat amerikane fuqishëm ndikuan në normalizimin dhe zhvillimin e jetës, sikur që është forcuar paqja dhe siguria për të gjithë qytetarët pa dallime.

Ai shprehu bindjen se bashkëpunimi TMK-KFOR do të vazhdojë edhe më tutje dhe do të forcohet edhe më shumë.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Xhemajl Hyseni, tha se tetë vite më parë, ky kamp ka reflektuar paqe, siguri dhe stabilitet në komunën e Gjilanit.

“Çdo fjalë është e vogël për të shprehur punën e forcave amerikane”, kishte thënë Hyseni.

Edhe sot njëzet vjet pas hyrjes në Kosovë, trupat amerikane vazhdojnë të kontribuojnë për paqen në këtë rajon, duke qenë të stacionuara në kampin “Bonstill” me një numër më të vogël të ushtarëve./Mediafokus/