Kujt ia futi në gojë fotografinë e Rugovës paramilitari serb?

Vitet e lirisë ikin shpejt, por dhembjet e luftës nuk harrohen lehtë.

As nuk duhet harruar atë që bëri Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999 dhe më herët.

Makineria serbe vrau, masakroi, dhunoi, dogji shtëpi, ndoqi burra, gra, fëmijë e pleq nga vatrat e tyre, në përpjekje për ta zhdukur një popull të tërë.

Pjesë e këtij fati kolektiv ishte edhe plaku Hajrush Bajrami (1937) nga Devaja e Vitisë, tash i ndjerë, shkruan portali mediafokus.info.

Ai ndërroi jetë katër ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 21 shkurt të vitit 2008.

Plaku nga Devaja e pa vdekjen me sy, më 15 prill të vitit 1999, kur fshati u gjend i rrethuar nga të katër anët.

Djali i tij, Metushi ka rrëfyer për ngjarjen e asaj dite.

Ajo që i kishte ndezur keq paramilitarët serbë, ishte fotografia e Ibrahim Rugovës.

Fotografinë e Adem Jasharit me uniformë të UÇK-së, kishte arritur ta fsheh, derisa arritën paramilitarët, ndërsa fotografinë e Ibrahim Rugovës nuk kishte mundur ta largonte nga muri.

Kur i kishin mbaruar plaçkitjet, njëri paramilitar kishte dalë në oborr me foton e Rugovës në dorë.

Kishte pyetur e kujt ishte shtëpia. Metushi kishte dashur të ngritët, por babai Hajrush ia bën  me shenjë, sepse e dinte çka mund ta gjente.

Ai e mori mbi vete rrezikun dhe pa një, pa dy, përgjigjet se shtëpia ishte e tij.

Paramilitari serb i ra Hajrushit në kokë me fotografinë e Rugovës, e cila kishte një kornizë të fortë, sa mezi u shkatërrua.

I mori copat e fotos dhe ia futi plakut me zor në gojë.

“Krejt fotografinë, copa-copa ia shtyri në gushë sa baba desh vdiq. As nuk mund t`i kapërdinte, as t`i nxirrte jashtë. I ra të fiktë dhe humbi vetëdijen. Nga koka i rridhte gjak”.

Hajrush Bajrami ka qenë njeri i odave. I shkonte edhe fjala.

Ibrahim Rugovën e ka dashur fort. Portretin e tij e mbante në odë./Mediafokus