Kush ‘po tutet’, sipas Arbër Ismajlit?

Eksponentë të partive opozitare në Gjilan, nga Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës, ditëve të fundit kanë shtuar kritikat ndaj pushtetit, e në veçanti lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, raporton Mediafokus.info.

Gjatë ditës, nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, është kritikuar për deklaratat e tij ndaj Qeverisë Hoti, i cili ka dalë haptaz kundër gjobave të mëdha ndaj bizneseve në kohë pandemie.

Por, ky i fundit, në njërin nga postimet i ka ftuar ata që t’i lënë kritikat e t’i bashkohen subjektit të tij, LDK-së.

“Oferta e oponencës lë shumëçka për të dëshiruar. E kuptojmë, nuk po mund ta pranojnë se me ne edhe ata janë të fituar, ngase, u duhet kohë për të ofruar mundësi, që nuk e treguan dje, nuk e kanë sot, dhe as që bëhet fjalë që do ta kenë të nesërmen! Ejani te punojmë bashkë, si partia më e vjetër, sepse, na duhen angazhime e ekperienca të reja për vendin e shoqërinë!”, ka shkruar Ismajli.

Pak orë pas këtij statusi, Ismajli e ka lansuar edhe një tjetër duke i thënë oponentëve që të mos frikësohen – por këtë e ka bërë në slang.

“Mos u tutni!”, ka qenë i shkurtër Ismajli, në mesazhin drejtuar oponentëve të tij politikë, Lëvizjes Vetëvendosje e Partisë Demokratike të Kosovës./Mediafokus.info/