Kur krerët e VV’së thoshin se ‘qeveria nuk duhet të rrëzohet në kohë pandemie’

Krerët e VV’së dikur thoshin se ‘qeveria nuk duhet të rrëzohet në kohë pandemie’, ndërsa tani, partia e Albin Kurtit ka filluar t’i mbledhë nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.

Gjithë kjo iniciativë e Vetëvendosje ka marrë hov në kohën kur Kosova është duke e përjetuar kulmin e krizës me pandeminë COVID-19 – vetëm në javën e fundit për çdo ditë janë raportuar nga mbi 10 vdekje dhe nga mbi 200 të infektuar.

Partisë më të madhe opozitare duket se nuk janë duke i bërë përshtypje këta numra, ndonëse ka qenë vet kreu i saj, Albin Kurti, kur në ditën e rrëzimit të tij, pati thënë se gjithë ky proces nuk do të duhej të ndodhte në kohë të pandemisë.

Madje pati thënë se po ia ndalin menaxhimin e mirë në luftën kundër pandemisë.

Pro deklaratës së Kurtit, pati dalë edhe Rexhep Selimi, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

“LDK-ja sot bashkë me aleatët e vjetër po kërkojnë mocion mosbesimi në kohën më të vështirë për Kosovën. Pra, kërkojnë rrëzimin e qeverisë, kur bota po vazhdon sërish të përballet me këtë pandemi”, pati thënë Selimi më 25 mars 2020, në ditën e rrëzimit të shefit të tij.

Sot, ka qenë pikërisht Selimi, që ka dalë para medieve dhe ka njoftuar për nismën që Vetëvendosje e ka marrë për rrëzimin e qeverisë së Avdullah Hotit.

“Nga sot Vetëvendosje nis mbledhjen e nënshkrimeve për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë”, tha Selimi.

Bashkëpartiakja e tij, Arbërie Nagavci, ka thënë për Gazetën Insajderi, se ngaqë kryeministri Hoti ka dështuar në menaxhimin e pandemisë, kanë nisur mbledhjen e nënshkrimive për rrëzimin e tij.

“Arsyeja e parë dhe më kryesorja është që kjo qeveri po e qon vendin drejt një katastrofe humanitare, të gjithë jemi dëshmitarë se për çdo ditë po vdesin me dhjetëra qytetarë në anën tjetër përveç menaxhimit të keq në aspektin shëndetësorë nuk kemi as ide se si do të vazhdohet tutje në aspektin ekonomik. Qytetarët, bizneset kanë nevojë për përkrahje dhe kjo gjë nuk po ndodh”, tha Nagavci.

Kujtojmë se në mars të këtij viti ish-kryeministri Albin Kurti, ishte rrëzuar me ngritjen e mocionit të mosbesimit pikërisht nga LDK-ja, partneri i atëhershëm i saj, pas shumë mospajtimeve që kishin.