Kurti i zbulon ‘autorët’ e thikave

Albin Kurti ka zbuluar emrin e këshilltarit të presidentit të Kosovës dhe bashkëpunuesit të vet, të cilët, sipas tij, paskan pasur një bisedë, ku këshilltari i Thaçit i tregoi bashkëpuntorit të Kurtit lidhur me planin e marrëveshjes në Uashington në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjatë kohës sa Kurti ishte kryeministër.

Bëhet fjalë për këshilltarin e Thaçit, Ardian Arifaj dhe ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Ky i fundit, sipas Kurtit, mori vesh nga Arifaj planin e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila mund të realizohej gjatë administratës së Kurtit. E për të cilën marrëveshje, vet Kurti tha në Kuvend se ishte plan i “thikave mbi hartën e Kosovës”.

“Një takim disa ditë para takimit me presidentin Thaçi, këshilltari i tij Ardian Arifaj, ka takuar ministrin e shëndetësisë, Arben Vitinë dhe i ka thënë “Hajde ta kryejmë këtë punë sepse edhe Vetëvendosjes i bjen mirë, sepse po bëjme bashkim kombëtar””, është shprehur Kurti në Desk.

Tutje, ai tregoi se çka u bisedua në takimin e tij me presidentin Thaçi.

“Thaçi më tha “Në Uashington shkojmë për marrëveshje. Unë e pyeta a s’po shkojmë për dialog? E ai më tha, po çfarë dialogu, ne shkojmë për marrëveshje. E kur unë e pyeta për cfarë marrëveshje bëhet fjalë, ai më tha se po te lejonte shoqja ime (Vjosa Osmani) të raportoja në Kuvend, do t’iu tregoja aty””, ka thënë Kurti.