Kush e shpëtoi sheh Tefikun nga pushkatimi

Teqeja e Gjilanit nuk simbolizon vetëm një vend ku njerëzit besojnë akoma se duke rrotulluar një tjegull mbi çati, mund të ndryshojnë fatin e jetës, nëse nuk u shkojnë punët mirë, ose nuk u realizohet ëndrra që kanë.

Kjo teqe ishte një vend ku dikur diskutohej për fatin e kombit dhe çështjet tjera madhore të kohës, shkruan Mediafokus.info

Sheh Tefiku është dënuar dy herë nga pushteti serb, për shkak të aktivitetit të tij atdhetar, madje njëherë edhe me pushkatim. Jo rastësisht, forcat serbe e dogjën këtë monument në luftën e vitit 1999, gjatë tërheqjes nga Kosova.

Teqeja i përket tarikatit Sadi dhe gjendet në pjesën veri-perëndimore të qytetit. Sipas burimeve të sheh Tefikut, teqeja është ndërtuar në fillim të shekullit XVIII.

Themelues është sheh Islami i Leskocit, që nga andej është shpërngulur në Shkup dhe më pas ka ardhur në Gjilan, për të këtë qëllim.

Varri i tij nuk gjendet në Teqenë e Gjilanit, sepse fill pas themelimit të këtij tempulli, ai kthehet sërish në qytetin e Shkupit, për të vepruar atje.

Në afërsi të Teqesë gjendet edhe Tyrbja, ku janë varret e sheh Tefikut, sheh Rrahimit, sheh Eminit dhe dervish Mustafasë. Ndërkaq, jashtë gjenden varret e dervish Ismajlit, dervish Hajdarit, sheh Alihajdarit dhe varri i bashkëshortes së sheh Tefikut, Akilës.

Sheh i parë i kësaj Teqeje njihet sheh Rrahimi nga fshati Gmicë, më pastaj sheh Emini nga Poliçka e Kamenicës dhe sheh Tefik Mustafa nga Gjilani, i pasuar nga i biri Alihajdari, mësimdhënës shumëvjeçar i artit figurativ, drejtor shkolle në filloren e Gjilanit “Selami Hallaqi“.    

Sipas të dhënave, themelues i tarikatit Sadi në Kosovë, është Axhiza Baba, ndërsa teqeja bazë është në Gjakovë, e njohur me emrin Teqeja e Madhe. Në bazë të hierarkisë, fillimisht ka qenë sheh Shefketi i Teqesë së Madhe e, më vonë vazhdon sheh Hasani në Leskoc, sheh Sylejmani në Vrajë, sheh Xhaferi në Shkup, sheh Hyseni në Nasalcë dhe sheh Tefiku në Gjilan.

Teqeja e Gjilanit ka qenë vatër e atdhedashurisë, ku flitej dhe diskutohej për çështjet madhore të kombit. Ishin bijtë më të mirë të Atdheut që aderonin në Lëvizjen për çlirim dhe bashkim kombëtar, për liri dhe pavarësi të vendit, që sakrifikonin çdo gjë, deri në arritjen e qëllimit të të shqiptarëve.

Në mesin e këtyre burrave, ishte edhe sheh Tefiku, që shquhej si atdhetar i devotshëm. Por, patriotët zihen, burgosën dhe dënohen me burgime deri në 20 vjet, madje edhe me likuidim fizik. Sheh Tefiku dënohet dy herë nga pushtuesit sllav.

Në vitin 1945 dënohet me pushkatim, por falë Brigadës së Shaban Haxhisë, i cili ishte në ballë të saj si dhe Hysen Dolit nga Gjakova, lirohet nga burgu i OZN-së dhe, për të humbur gjurmët gjen strehim në Gjakovë.

Në vitin 1960 me Grupin e Kadri Halimit e të Ali Aliut, që vepronte në gjithë Kosovën, dënohet me 4 vjet burgim të rëndë, të cilat pa u përkulur asnjë çast, si shumë shokë të tij, i mbanë ditë më ditë në qelitë famëkeqe të Nishit.  

Duke e ditur kontributin e teqesë dhe drejtuesve të saj në çështjen kombëtare, forcat serbe, gjatë tërheqjes nga Kosova, në qershor 1999, e dogjën deri në themel edhe këtë objekt fetar, me një bibliotekë të tërë librash të vjetra, nga shekulli XVIII, me dhjetëra shandanë e mjete të shumta, nga më të ndryshmet, që shërbenin gjatë ceremonive fetare.

Duke i njohur të gjitha këto vlera, Ministria e Kulturës bëri rinovimin e këtij monumenti kulturor-fetar, pas luftës.

Këtu, njerëzit me halle kthejnë sërish, por tani shumë më rrallë, sepse botëkuptimet e njerëzimit për jetën kanë ndryshuar nga koha e tyrbes së sheh Tefikut, por asaj nuk mund t`i mohohet në asnjë epokë kontributi që ka dhënë për çështjen kombëtare.

Teqeja nuk i ka më as tjegullat e dikurshme të vjetra, të cilat ku ta dish sa herë janë rrotulluar nga nevojtarët. Ajo tani është një objekt i trashëgimisë kulturore në qytetin e Gjilanit./Mediafokus.info