Pse haxhia e dorëzoi në muze kandarin e katër brezave?

Haxhiu Qemajl Ramadani, i cili tashmë i ka shkelur të tetëdhjetat, nga viti 1972 e këndej, jeton në Gjilan.

Madje, mbrapa Muzeut të qytetit, e ka shtëpinë, në të cilën është vendosur pas disa “shëtitjeve” nëpër lagje tjera, ku diku ka qëndruar më shumë e diku më pak, shkruan portali mediafokus.info

Por, ato 25 vitet e jetës së tij, të kaluara në Bukoc të Preshevës, aty ku ishte rritur e kish jetuar babë, babagjysh e katragjysh, nuk i harron.

“Kur u patën shpërngulur nga andej e patën ra, fillimisht në Rahovicë e më pas edhe në Preshevë, e së fundmi këtu në Gjilan, shumë “almise” i kishin pas marrë me vete, se na duheshin”, thotë haxhiu.

Prej tyre gjallëronim, ishin mjete pune si, sharra, turjela, dalta e të tjera, të mos i përmendi krejt me rend.

Haxhi Qemajli i dhuroi kohë më parë muzeut të Gjilanit, një kandar të vjetër thuaja një shekull e gjysmë, mos më shumë, një sharrë të vjetër dore, nga të parat që janë përdorur në këto anë, një turjelë, gjithashtu të vjetër e të ruajtur mirë si dhe disa fytëza veku madhësish të ndryshme dhe dy shpata përmes të cilave janë endur penjtë e tjerrë.

Sabit Rrustemi, zyrtar për trashëgimi kulturore e ngacmonte me fjalë haxhiun. “A bën me hëngër hiq në kandar”?. Ai qesh dhe përgjigjet: “Ma mirë është me hëngër hallall”.

Kandari i haxhisë, përkundër moshës që ka, ende mund të përdoret për matjen e peshave deri në 120 kg.

“Atje në Bukoc, një mëhallë ka mat me këtë kandar, të cilin s’di prej kah e kish pas sjellë në shpi babagjyshi ynë”, thotë ai.

Kandari është përdorë nga katër gjenerata. Tani, kandari i haxhi Qemajlit “pushon” në muze./Mediafokus/