Kush është “këlyshi i dajës” që përqafon shtatoren e Agim Ramadanit?

Muhamet Ajrullahu vazhdon t`i ruajë edhe sot kujtimet për dajën e tij, Agim Ramadani, i cili ra dëshmor në Koshare, pas një beteje të ashpër me forcat serbe, ku për herë të parë u thye kufiri që ndau shqiptarët për shumë vite.

“Me mallin e para 25 viteve t`u hodha në qafë, si atëherë kur të prisja pas dere, i fshehur për të të befasuar. S`e ktheve kokën fare me më thanë si dikur “këlyshi i dajës” por unë e ndjeva zërin tënd thellë në shpirt, aty ku fsheh dashurinë dhe mallin për ty”, ka shkruar ai pranë një fotoje, ku shihet duke e përqafuar shtatoren e re të Agimit.

I gëzuar nga ky projekt, ku ai ka kontribuar në mënyrë të veçantë, Muhameti e nderon sakrificën e dajës me fjalët më të mira.

“Erdhe daja im i mirë, ashtu siç e meriton, me madhështi, krenari e dashuri për atdheun, i cili e çmon luftën dhe sakrificën tënde”.

Muhameti, një biznesmen i suksesshëm në diasporë e Kosovë, që edhe kompaninë e tij e ka pagëzuar ARKATANA, nofka e Agimit në luftë, i premton dajës se në çdo hap do të përpiqet të plotësojë ëndrrat, dëshirat dhe shpresën e tij që atdheu ta shijojë lirinë e merituar /mediafokus/