Kush është Sali Mustafa, i arrestuar sot nga Specialja?

Me urdhër të Gjykatës Speciale është arrestuar sot në Kosovë ish-shefi i inteligjencës së FSK-së, Salih Mustafa. Në një njoftim nga Specialja, thuhet se Mustafa është arrestuar pas konfirmimit të aktakuzës.

Por kush është Salih Mustafa?                         

Mustafa ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës.

Gjatë veprimtarisë ilegale, ishte arrestuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1993 dhe është dënuar me 5 vite burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.

Në gusht të vitit 1997, pasi përfundon dënimin me burgim, Mustafa ishte angazhuar për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.

Ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja BIA deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.

Mustafa ka qenë bashkëveprimtar i Bahri Fazlisë, Agron Rrahmanit, Ilir Konushevcit, Raif Qelës, Fatmir Humollit, Isa Kastratit e shumë figurave tjera të UÇK’së.

Salih Mustafa ka qenë njëri nga themeluesit e LKQK-së.

Ai shërbeu si shef i departamentit informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pastaj edhe si këshilltar për inteligjencë i kryeministrit Agim Çeku.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e ka konfirmuar arrestimin e zyrtarit të saj, por nuk e di nëse atë e ka arrestuar Eulex, me urdhër të Tribunalit Special.

“Po e konfirmojmë arrestimin e zotit Sali Mustafa zyrtar civil në Ministrinë e Mbrojtjes”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë, Ibrahim Shala.

Megjithatë Ministria akoma nuk ka informata se kush e arrestoi zyrtarin e saj.

“Si Ministri e Mbrojtjes ende nuk kemi informacion zyrtar. Jemi në pritje të njoftimit zyrtar për shkaqet e arrestimit. Kurë do ta kemi informacion shtesë do të ju njoftojmë me kohë.”, ka thënë Shala për Expres.