Kush ishte babai i tre fëmijëve që u vra sot?

Lidhur me vrasjen e 71-vjeçarit në afërsi të kryqëzimit të Rinasit, mësohet se Abdulla Budlla punonte si taksist dhe ishte banues në fshatin Ahmetaq.

Ai dyshohet se është vrarë nga persona që qarkullinin me një automjet, ndërsa trupi i tij është gjetur pranë mjetit taksi, me të cilin punonte i moshuari.

Hetimet zbuluan se taksia nuk ishte e licencuar dhe dyshimet janë se mund të ketë lindur ndonjë konflikt mbi konkuerrencën.

Ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga persona ende të paidentifikuar.

Blutë e kryeqytetit kanë blinduar zonën dhe kanë shoqëruar në komisariat disa persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi.

Abdulla Budlla është babai i 3 djemve, dy prej të cilëve jetojnë në Itali, ndërsa i vetmi që jetën me të, punon edhe ai taksist pranë Aeroportit të Rinasit. Mësohet se 71-vjeçari po qëndronte në vendin e zakonshëm pranë taksisë, kur një automjet në lëvizje qëlloi në drejtim të tij me breshëri kallashnikovi.

Trupi i tij ka përfunduar mbi një objekt pranë vendit ku edhe u qëllua. Sipas policisë Abdulla Budlla është qëlluar nga një distancë e afërt.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 16:45, në Fushë-Prezë, në kryqëzim me rrugën e Rinasit, në rrethana ende të paqarta.

Policia ka gjetur të vrarë me armë zjarri shtetasi Avdulla Budlla, 71 vjeç, banues në fshatin Hametaq, Prezë.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje , ku kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Rinas -Fushë-Krujë, Rinas-Vorë -Tiranë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./noa/