Kush ishte boshnjaku Hasan Avdiq që as varr s`ka në atdheun e tij

Në varrezat e qytetit në Gjilan prehen mijëra trupa të pajetë. I veçantë mes tyre është vetëm një varr, i cili nuk ka asnjë shënim sipër tij. Edhe më të veçantë e bën fakti se të dhënat e personit që pushon këtu prej shtatë vjetësh gjenden përbrenda në varr.

Askush nuk di se si Hasan Avdiq (1970), nga Tuzlla e Bonjës, kishte përfunduar në Kosovë, as nuk mund të thotë nëse ai ka dikë të tij atje në vendlindje, apo nëse i janë vrarë të gjithë gjatë luftës në Bosnjë, apo edhe nëse ky ishte identiteti i tij i vërtetë.

Dihet vetëm se ai është varrosur në Gjilan, më 6 shkurt 2012, ku i kishte kaluar ditët e fundit të jetës. Avdiq ka vdekur në Spitalin e Gjilanit. Boshnjaku ishte sjellë këtu nga Qendra e Shëndetit Mendor në Shtime, disa kohë më herët.

Bashkë me trupin, në varr janë lëshuar edhe shënimet për të, aq sa diheshin nga letërnjoftimi që posedonte ky person, i lëshuar në Kosovë, nga autoritetet e UNMIK-ut.

Ato janë futur në një shishe plastike dhe janë lënë pranë trupit të Hasanit.

Ndoshta, ndonjëherë do të zbulohet e vërteta për Hasan Avdiqin e Tuzllës, që me sa duket ka qenë viktimë e luftës.

Luftërat, kudo në botë lanë pas vete viktima e dhembje, dëshmorë e kriminelë. Të tilla ishin edhe luftërat në ish-Jugosllavi, e cila u shpërbë me gjak. Në këtë luftë të tmerrshme, dikush ka humbur familjarët, dikush gjymtyrët e veta e ndonjë tjetër ka shpëtuar kokën, por i ka ikur mendja, siç ishte rasti i Hasanit.

Ymer Ibishi, zyrtar i morgut në Spitalin e Gjilanit, me duart e tij e ka lëshuar në varr trupin e Hasan Avdiqit. Pranë trupit të tij ka lënë edhe një dosje të futur në një shishe plastike.

Deri më tani, askush nuk është interesuar për të, por nuk përjashtohet mundësia që një ditë, në të ardhmen, dikush të interesohet për varrin e tij, të pyesë për mënyrën si ka jetuar dhe si ka vdekur ai në Kosovë, apo të kërkojë t`i marrë eshtrat për t`i kthyer në tokën ku ka lindur.

Atij duhet t`i ketë ndodhur diçka e rëndë, ose ka përjetuar gjera të tmerrshme, aq sa i ka ikur truri dhe nuk i është kthyer më, as kur është larguar nga andej dhe as më vonë, gjatë kohës sa ka qëndruar në Shtime e Gjilan.

Hasan Avdiq ka vdekur i vetmuar dhe larg tokës së tij të mbushur me varre, nga lufta e fundit.

Kush e di se çfarë fati e ka sjellë atë në Kosovë dhe si ka përfunduar ai këtu, ku tani ka një varr, por nuk ka një njeri që t`i shkojë atje në përvjetor, për t`i vendosur një lule te koka.

Lufta e la atë edhe pa një varr në atdhe, e mbase edhe pa familje. Kjo e fundit nuk dihet./MediaFokus/