Kush janë “miqtë e rrugës” që duhet ndihmuar ta mbijetojnë acarin?

Fondacioni për të drejtat e kafshëve ka bërë thirrje për t`i ndihmuar qentë dhe qeniet tjera katër-këmbësh të rrugës, për ta përballuar kohën ftohtë.

Me rënien e temperaturave, për miqtë tonë katër-këmbësh të cilët jetojnë në rrugë, mbijetesa bëhet shumë më e vështirë, shkruna portali mediafokus.info.

Prandaj, është obligim i secilit prej nesh me mundësitë që i kemi të kontribuojmë që këto krijesa të dashura ta kalojnë këtë acar sa më lehtë, thuhet në apelin e fondacionit, ku jepen edhe udhëzimet se si mund të bëhet kjo.

Disa nga mënyrat se si mund të ndihmoni:

– Siguroni ushqim (jo të dëmshëm për qentë dhe macet) dhe ujë: Kafshët endacake shpenzojnë shumë kohë dhe energji në kërkim të ushqimit, prandaj është shumë e rëndësishme t’i kenë këto në dispozicion në mënyrë që ta ruajnë energjinë e tyre.

– Ofroni strehim: Nëse keni dëshirë, dhe më e rëndësishmja, kushte, ofroni strehim të përkohshëm për ndonjë kafshë të rrugës, sidomos gjatë natës.

Nëse nuk mund ta merrni një kafshë brenda në shtëpi apo banesë, së paku hapni dyert e garazhës ose të hyrjes ashtu që këto kafshë të kenë një strehë nga i ftohti dimëror.

Keni kujdes të mos e mbani kafshën për më shumë se 1-3 javë (vetëm gjatë acarit të madh) nëse nuk planifikoni që ta mbani përgjithmonë, ngaqë pastaj lëshimi i saj sërish në rrugë pas një periudhe të gjatë kohore, do të duket për kafshën endacake si braktisje.

– Krijoni strehim: Nëse nuk keni mundësi ta strehoni një kafshë të rrugës, me pak mund, mund ta krijoni një strehë të përkohshme të cilën mund ta ndërtoni nga kutitë e drurit, kartonit, kutitë e këpucëve etj.

– Përdorni rroba apo batanije të vjetra: Nëse keni rroba apo batanije të vjetra që nuk i përdorni në shtëpi, mund t’i shfrytëzoni për t’i mbuluar kafshët.

– Kontrolloni veturën para se të niseni: Shumë mace të rrugës, për shkak të të ftohtit të madh, gjejnë strehë në brendi të motorit të veturës, pasi që është më nxehtë.

Trokisni disa herë në pjesën e përparme të veturës para se të niseni, në mënyrë që t’i jepni kohë maceve të ndërrojnë vendin./Mediafokus