Ky është orari kur studentët mund të shkojnë për t`i marrë gjerat personale nga konviktet

Nga Ministrja e Arsimit është publikuar orari kur studentët mund të shkojnë t’i marrin gjësendet e tyre personale në konvikte, të cilat janë shndëruar në karantinë për personat që vijnë nga jashtë.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ministrja Hykmete Bajrami ka thënë se sipas rekomandimeve të IKSHPK-së të gjithë studentët obligohen që të jenë të pajisur me masa mbrojtëse (maska dhe dorëza).

“Duke filluar nga data 18.05.2020 deri me datën 23.05.2020 studentëve u lejohet tërheqja e gjësendeve nga konvikteve 1, 2, 3, 4, 5 dhe 8 ndërsa konviktet 6 dhe 7 nuk janë të përfshira në këto data për arsye se për momentin janë me persona të karantinuar”, thuhet në postimin e saj.

Bajrami ka njoftuar se hyrja në hapësirat e Qendrës së Studentëve bëhet në pikën 2 përballë Fontanës dhe lejohen vetëm studentët banues të konvikteve.

Për këtë arsye, studentët janë të obliguar të kenë me vete ID kartelën e QS dhe letërnjoftimin.

Kurse studentët banues të cilët janë jashtë Kosovës, tërheqjen e gjërave personale mund ta bëjnë pas kthimit të normalitetit dhe mbylljes së gjendjes pandemike./mediafokus.info