Ky është Presidenti i parë në botë që vdes nga koronavirusi në moshën 55-vjeçare

Presidenti i Burundit vdiq nga koronavirusi, sipas mjekëve në spitalin ku ai ishte shtruar pasi shëndeti i tij u përkeqësua papritur.

Qeveria e vendit kishte njoftuar shkakun e vdekjes së Pierre Nkurunziza, 55 vjeç, si një sulm në zemër.

Një burim mjekësor në spitalin Karusi, ku vdiq Nkurunziza, ka konfirmuar se presidenti kishte probleme respiratore para vdekjes së tij.

Mjekët në spitalin universitar “Kamenge” në Bujumbura i thanë AFP-së (percjellë panorama.com.al) se kreu i institutit të shëndetit publik kërkoi të vetmin ventilator të spitalit të tyre dhe shefin e shërbimit të reanimacionit ‘në emër të presidencës’ të hënën në 10 të mëngjesit.

Presidenti u dërgua në spitalin në Karusi, por ishte “shumë vonë”, ai ishte “tashmë i vdekur”, tha një burim mjekësor në Karusi.

Dyshimet kishin qenë të larta se presidenti kishte Covid-19 pasi gruaja e tij ishte shtruar në spital në fund të majit me virusin. Një dokument mjekësor i parë nga AFP thoshte që ajo ishte testuar pozitive për virusin dhe kishte pësuar ‘shqetësime të frymëmarrjes’.

Vendi afrikan njoftoi vdekjen ‘e papritur’ të Nkurunzizës më 9 qershor duke shpallur një javë zie kombëtare.

Qeveria ende nuk ka njoftuar një datë për varrosjen e tij, por shënon periudhën shtatë ditore të zisë kombëtare, gjatë së cilës ka ndaluar muzikën në bare, klube të natës dhe karaoke, thuhet në një deklaratë të enjten.

Gruaja e tij Denise u transportua me avion për trajtimin e koronavirusit në Kenia më 30 maj, duke shkaktuar dyshime për shkakun e vërtetë të vdekjes së presidentit.

Nkurunziza do largohej nga detyra në gusht pas një periudhe 15-vjeçare në pushtet me pretendime për shtypje dhe abuzime të të drejtave të njeriut.

Gjykata kushtetuese e vendit vendosi të premten që postin e Presidentit të marrë menjëherë i zgjedhuri i ri. Evariste Ndayishimiye do të betohet menjëherë pas varrosjes së Nkurunziza.