Ky është programi i propozuar nga Gjilani për masat lehtësuese për bizneset

Komuna e Gjilanit është e angazhuar në përballimin e pandemisë Covid-19 dhe tejkalimin e kësaj gjendjeje me rastet e konfirmuara dhe gjithnjë duke ulur numrin e të prekurve në Gjilan.

Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, në konferencën me gazetarë, ka thënë se Gjilani ka ndërmarrë masat e nevojshme për krijimin e lehtësirave konform edhe rekomandimeve të qeverisë së Kosovës.

“Nga kjo javë ka filluar zbatimi i masave lehtësuese për ekonominë private, ndërmarrjet ndërtimore, zgjatjen e orarit të qarkullimit të qytetarëve në dalje të domosdoshme dhe nga vlerësimet që kemi bërë jemi duke punuar që të kemi masa lehtësuese edhe më tutje konform edhe rekomandimeve të qeverisë së Kosovës. Gjithashtu, edhe Qendra Operative në Gjilan, do të jetë në shërbim të qytetarëve”, ka thënë nënkryetari Ismajli.

Në këtë konferencw, drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemaili, ka thënë se rastet me Covid-19 janë në trajtim dhe kujdestari të mjekëve dhe ekipeve emergjente, sikur që ka konfirmuar gjendjen e përgjithshme të qetë, me apelin për vetëpërmbajtje dhe përdorim të masave mbrojtëse.

Ndërsa në fjalën e saj drejtoresha për Kulturë, Deniza Limani, ka paralajmëruar angazhimin që është duke u bërë në aktivitete të ndryshme kulturore dhe njëkohësisht ka paralajmëruar koncertin i cili mbahet sonte në orën 20:45 përmes live stream në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit në facebook.

Valbona Tahiri, drejtoreshë për Zhvillim Ekonomik, ka dhënë detajet lidhur me pakon e lehtësirave të krijuara për komunitetin e biznesit dhe masat të cilat duhet të përfillen në këtë fazë kalimtare të përballjes me Covid-19.

Programi i Komunës së Gjilanit përfshinë masat si në vijim:

 1.  Të kryhet një analizë gjithëpërfshirëse mbi ndikimin e epidemisë COVID-19 dhe masave të epidemisë së Qeverisë në të hyrat dhe planin e shpenzimeve të buxhetit komunal për vitin 2020 dhe të propozohen masa të përshtatshme në përputhje me rrethanat për të udhëhequr politikën përgjegjëse fiskale dhe për të lidhur shpenzimet me të hyrat e disponueshme dhe vlerësimet e ndikimit mbi parametrat e financave publike;

2.  Të përjashtohet nga ngarkesa e taksës komunale për ushtrimin e veprimtarive afariste të gjitha bizneset që operojnë në territorin e komunës se Gjilanit vetëm për vitin 2020, përjashtimisht borxheve nga vitet paraprake;

3.  Të përjashtohet nga pagesa e tarifave për përdorimin e parkingjeve, të cilave u është dhënë në shfrytëzim nga komuna për një periudhë 6 muaj, d.m.th., për ata të cilët nuk kanë ushtruar veprimtari me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë;

4.  Të lirojë nga pagesa me qira për një periudhë prej 12 muajsh qiramarrësit e lokaleve afariste në pronësi të komunës që nuk kanë kryer veprimtarinë e tyre të rregullt me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë;

 5.  Të shtyhet pagesa e tarifave për legalizimin e objekteve të paligjshme për një periudhë 3 muaj për tatimpaguesit që kanë lidhur kontrata, me dinamikë pagese në këste (sipas kërkesës). Interesi për borxhet nuk do të ngarkohet për periudhën e caktuar;

 6.  Të gjithë kontraktuesve (operatoreve ekonomik) të cilët nuk kanë qene në gjendje të kryejnë punën brenda afatit të rënë dakord, për shkak të mungesës së materialeve dhe fuqisë punëtore, do t’u zgjatet data e përfundimit, d.m.th. të hartojë një aneks të kontratës për dy muaj shtesë, në mënyrë që të shmanget pagesa e gjobave për mos përmbushje të detyrimeve të përcaktuara me kontratë.

Komuna e Gjilanit në përputhje me legjislacionin në fuqi, prioritetet dhe nevojat specifike të saj, ka krijuar këto masa mbështetëse që do të japin rezultatin më të mirë për rimëkëmbjen e ekonomisë lokale dhe do të ndikojnë në ngritjen e standardit të qytetarëve pa kompromentuar qëndrueshmërinë e financave publike si dhe kryerjen e funksioneve themelore në kompetencë të komunës.

Sipas masave të reja nga dje kanë filluar aktivitetet afariste sektori i ndërtimtarisë, tregtia me pakicë (automjeteve) , riparimi i artikujve personal dhe orendive dhe shërbimet profesionale derisa sektorët më të goditur  si gastronomia dhe transporti do të bëjnë përgatitjet për plotësimin e kushteve sanitare për hapje në fillim të muajit Qershor./mediafokus.info/