Ky ishte historiani që thoshte se kufijtë e vendosur dhunshëm duhet të korrigjohen me marrëveshje

Shqiptarët janë pjesë e historisë së popujve të Ballkanit, ku gjithmonë ka pasur probleme dhe konflikte, prandaj kjo histori duhet të rishikohet me kujdes dhe gjakftohtësi, nëse bota dëshiron të vendos paqen në këtë pjesë të saj, kishte  thënë historiani Rasim Rexhepi, në një intervistë, para tetë vitesh.

Shqiptarët, ndonëse populli më i vjetër evropian, kaluan më së keqi, edhe pse qysh nga koha e Skënderbeut kishin luftuar për mbrojtjen e Evropës nga Perandoria Osmane.

Fuqitë e mëdha nuk e përkrahën popullin e vogël shqiptar në kërkesat e tij të drejta për formimin e shtetit brenda katër vilajeteve shqiptare.

Rexhepi thotë se dhuna mbi shqiptarët nuk u ndalë për njëqind vjet, brenda kufijve të Mbretërisë serbo-kroate-sllovene dhe Jugosllavinë e Titos.

Shqiptarët nuk fajtorë pse nuk kanë dashur që në territoret e tyre të jetojnë nën sundimin e fqinjëve sllavë.

Ata kanë dashur dhe duan të jetojnë të lirë dhe të qeverisin vetë në vendin e tyre dhe në fqinjësi të mirë me të gjithë popujt për rreth.

Nuk kanë luftuar asnjëherë për territore të huaja, por as nuk durojnë dhunë dhe poshtërime. Duhet të dihet po ashtu se edhe për Luginën e Preshevës u zhvilluan luftëra shekullore.

Gjatë vitit 1942/1943, shqiptarët e kuptuan se as fashizmi italian dhe as ai gjerman nuk ishin të interesuar që t`i jepnin liri dhe pavarësi këtij populli, prandaj i rrokën armët për t`i mbrojtur trojet e veta, që nga Bujanoci, Presheva, Kumanova, Shkupi, Tetova, Dibra…

Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të Moravës së Gjilanit e kishin kuptuar se parullat gjermane për “çlirim” dhe ato komuniste për “vetëvendosje” ishin vetëm mashtrime, prandaj vendosën që t`i mbrojnë kufijtë etnikë.

Të vetëdijshëm se regjimi serb i kishte mashtruar në vitin 1912, nuk mund t`u besonin më partizanëve dhe as komunistëve.

Gjatë viteve 1943/1944, në Luginë u zhvilluan luftëra të përgjakshme ndërmjet shqiptarëve vullnetarë dhe partizanëve të Titos si dhe çetnikëve bullgarë.

Duke iu referuar burimeve autentike, Rexhepi thotë se partizanët depërtuan në Luginën e Raincës, ku u vranë 100 prej tyre nga vullnetarët shqiptarë dhe u zunë robër 206 të tjerë, të cilët u dërguan në burgun e Preshevës dhe më vonë qenë liruar.

Sipas disa shënimeve, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, u vranë 2800 shqiptarë të Luginës së Preshevës. 

Duke u nisur nga e kaluara e hidhur e Luginës dhe rëndësia jetike që ka ky territor për shqiptarët etnikë, Kosova dhe Serbia duhet të ulen dhe bisedojnë për gjetjen e një zgjidhje paqësore, të garantuar ndërkombëtarisht, thotë historiani Rasim Rexhepi, derisa e vlerëson situatën në aspektin e gjendjes aktuale.

Shqiptarët ia kanë bërë me dije botës, se janë pjesë e Kosovës Lindore, qoftë me kryengritje, qoftë përmes referendumit.

Pjesa skajore e veriut të Kosovës dhe Lugina e Preshevës janë dy probleme që duhet të zgjidhen patjetër, ndryshe do të mbetet një plagë e pashërueshme për shqiptarët dhe serbët.

Sa më shpejt që shtrohet për zgjidhje kjo çështje, aq më mirë do të jetë për të dyja palët.

Rexhepi thotë se ndërrimi i kufijve nuk është diçka që nuk ka ndodhur gjatë historisë.

Në shekullin 21, kufijtë duhet të korrigjohen me marrëveshje, për hir të paqes dhe të ardhmes në këtë pjesë të botës, thotë Rexhepi./mediafokus.info

(Ky shkrim ribotohet në katër vjetorin e ndarjes së tij nga jeta)