Ky ishte hoxha që kishte falur rreth 100 Kurban Bajrama në jetën e tij

Sot, askush prej besimtarëve islamë nuk po mund ta falë namazin e Bajramit në xhami, shkaku i pandemisë. Dikujt, kjo po i ndodhë për herë të parë në jetë. Dikush tjetër ka jetuar mbi 100 vjet dhe ka ikur tashmë nga kjo botë, por kjo nuk i ka ndodhur ndonjëherë.

Personazhi i shkrimit tonë, Rifat Jashari nga Zhegra, ka jetuar mbi një shekull, me mendje të kthjellët. Zor se mund të ketë një tjetër person që t`i ketë agjëruar 85 muaj të Ramazanit, gjatë jetës së tij e t`i ketë falur rreth njëqind Kurban Bajrama.

Nëse kjo kohë llogaritet në vite, atëherë del se axha Rifat ka agjëruar 7 vjet e ca ditë, shkruan Mediafokus.info

Pak kush si ai ka kontribuar gjatë një shekulli jetë në çështjen kombëtare, fetare e arsimore. Hoxha më i vjetër në regjionin e Gjilanit, Mulla Rifat Jashari ka ndërruar jetë para disa javësh, në Zhegër të Gjilanit. Ndoshta ai ka qenë edhe më i vjetri në tërë Kosovën.

Sipas rrëfimeve të nënës, Rifati kishte 103 vjet. Ishte ndër të parët që ka qenë edhe hoxhë edhe mësues, i cili fëmijëve të kësaj ane u ka mësuar alfabetin shqip dhe serbisht.

Familja Jashari ishte shpërngulur nga fshati Sefer i Malësisë së Karadakut, më 1913, pesë vite para se të lindte Rifati, i cili do të bëhej hoxhë i nderuar në këto anë dhe më gjerë. Mësimet e para fetare i mori në Zhegër, nga imami i atëhershëm, mulla Kadriu i Llashticës.

Edhe shkollën fillore, katër klasa, i kreu gjithashtu në fshatin e tij të lindjes, në gjuhën serbe (1930). Me të kryer filloren, në mungesë të mësuesve, atë e ndalin që t’i mësojë nxënësit shqiptarë, për rreth një vit e gjysmë. Mësimi mbahej në gjuhën serbe, nën pushtetin e mbretërisë serbe.

Krahas kësaj, ai për dy vite me radhë i vijoi mësimet fetare në mejtepin e fshatit, ku u pasurua me dituri dhe edukim islam nga hoxhallarët e njohur të asaj kohe, mulla Ibrahimi, mulla Kadriu, mulla Sabriu e mulla Ademi.

Pajtimtar i gjaqeve

Në vitin 1932, menjëherë pasi kreu mejtepin në fshatin e tij të lindjes, vazhdoi medresenë në Gjilan, ku pas një viti u transferua në medresenë e Prizrenit, të cilën e kreu rreth vitit 1939/40. Mandej vazhdoi edhe për një vit me mësim – besimin dhe për t’u aftësuar për imam në Preshevë, te hoxhallarët në zë të asaj kohe, hafëz Nexhati e të tjerë.

Me t’u kthyer nga Presheva në vitin 1941, emërohet imam në xhaminë e fshatit të tij, në Zhegër, ku edhe shërbeu për 41 vjet me radhë, deri në vitin 1982, kur edhe u pensionua, vijon shkrimi i Mediafokus.info.

Gjatë gjithë kësaj kohe, sa ka kryer punën e imamit, mulla Rifati pandërprerë ka mbajtur mësim-besimin islam me gjeneratat e reja dhe nga ai janë aftësuar e edukuar dhjetëra gjenerata të fshatit Zhegër.

Gjatë kësaj periudhe të gjatë të ushtrimit të profesionit të imamit, mulla Rifati ka zhvilluar aktivitet të bujshëm në forumet e ndryshme të Bashkësisë Islame të atëhershme në nivel të Jugosllavisë dhe Kosovës.

Kështu, në vitin 1943 është zgjedhur kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit, për një mandat. Në këtë post rizgjidhet edhe për tri mandate të tjera. Mulla Rifati, së bashku me mulla Kadrinë e Llashticës janë simbol i fesë islame, jo vetëm në territorin e komunës së Gjilanit, por edhe në tërë Anamoravën.

Rifati, gjatë gjithë jetës, ishte aktiv e i pranishëm pothuajse në të gjitha aktivitetet e organizuara në territorin e komunës së Gjilanit. Në kohën e fundit, në aksionin e pajtimit të gjaqeve në Anamoravë, mulla Rifati ishte në krye të punës.

Kontribuoi në shkollimin e femrës

Mençuria, bujaria dhe urtësia e karakterizuan atë deri në vdekje, përkundër moshës së shtyrë që kishte arritur. Kur i shkonin mysafirë dhe nuk qëllonte kush tjetër në shtëpi, ai, me një shekull jetë mbi supe, ngrihej vetë për t`i shërbyer ata dhe nuk e kishte aspak problem.

Kontributi i tij në lëmin fetar dhe kombëtar, është shumë i madh. Islam Osmani, gazetar, autor i librit për imamët e Gjilanit, thotë se karakteristikë e mulla Rifatit, ishte se kurrë nuk e ka lënë pa agjëruar muajin e shenjtë të Ramazanit dhe deri në vdekje ka agjëruar 85 Ramazana.

Po ashtu, kurrë nuk ka munguar në faljen e namazit në xhami. “Mulla Rifati, me veprën dhe kontributin e tij fetar e kombëtar mbetet një shembull për gjeneratat e reja”, thotë Osmani.

Jo vetëm shëndeti, por edhe mendja i shërbeu mjaft mirë, deri në çastet e fundit. Qytetarët e Zhegrës dhe Gjilanit e cilësojnë mulla Rifatin një njeri të mirë dhe një atdhetar të madh, i cili gjatë tërë jetës punoi për fe e për atdhe.

Do të mbahet në mend po ashtu për kontributin që dha në shkollimin e femrave, atëherë kur këto tema ishin të ndaluara edhe të bisedoheshin./mediafokus.info/